Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përgëzuar operacionin e Policisë së Shtetit lidhur me zbulimin e një qendra armatimesh në Sukth, të cilat mendohet se përdoreshin për furnizimin e krimit të organizuar në vend.
Përmes një publikimi në median sociale Facebook, Balla shkruan se Policia po godet çdo ditë fenomenin e armëmbajtjes pa leje.
“Përgëzime Drejtorive Vendore Durrës dhe Tiranë për goditjen e një tjetër baze që shërbente për furnizimin me armë zjarri të grupeve kriminale dhe të një rrjeti trafiku armësh zjarri. Goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo arrestimi i shtetasve që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore e Policisë”, shkruan ai.
Çfarë u gjet?
Një operacion policor është finalizuar me zbulimin e një baze armatimesh në Sukth, e cila dyshohet se shërbente për të furnizuar grupe të ndryshme kriminale në vend.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, janë sekuestruar gjatë këtij aksioni armë të rënda si kallashnikov, granatë, dylbi snajperi, krehër arme dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në pranga ndërkaq është vënë pronari i banesës, ku këto armatime e municione ushtarake u gjetën.
Çfarë thuhet në njoftimin e Policisë
Në kuadër të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e përdorimit të tyre nga kontigjenti kriminal, për ngjarje të rënda, specialistët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, të mbështetur te informacionet e inteligjencës policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hills 2”.
Si rezultat i operacioni, në Sukth, u zbulua një bazë, ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës që dyshohet se shërbente si bazë, shtetasi A. S..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /Albanianpost.com