Duke filluar nga 1 shkurti, kushdo që ngas skuterin elektrik në trotuar ose pa helmetë në Barcelonë do të gjobitet deri në 500 euro, njoftuan autoritetet e qytetit. Ky vendim është marrë në kuadër të luftës kundër mosrespektimit të rregulloreve, që lidhet me rritjen e shpejtë të përdorimit të e-skuterëve në këtë qytet mesdhetar, raporton gazeta Guardian.
Në një mjedis urban që është kryesisht i sheshtë, me më shumë se 250 kilometra shtigje për biçikleta, 2500 orë diell dhe vetëm 55 ditë me shi në vit, skuterët elektrikë janë zgjidhja perfekte, vlerëson e përditshmja londineze.
Sipas të dhënave nga këshilli i qytetit të Barcelonës, numri i njerëzve që përdorin e-skuterët është rritur katër herë më shpejt se numri i njerëzve që zgjedhin të ngasin një biçikletë që nga pandemia.
Me një shpejtësi maksimale prej rreth 40 kilometra në orë, e-skuterët janë shumë më të shpejtë, por edhe më të rrezikshëm se biçikletat në rast aksidenti.
Skuterat elektrike janë kthyer në mjetin e preferuar të transportit për shumë qytetarë të Barcelonës, por edhe për hajdutët e shumtë të çantave dhe celularëve.
Sipas rregulloreve të reja, shpejtësia maksimale e e-skuterëve do të kufizohet në 25 kilometra në orë. /Euronews.al/