Bashkohen Ulqini dhe Velipoja

Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar së fundmi marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e urës së re mbi lumin Buna. Marrëveshja për ndërtimin e urës u nënshkrua në Podgoricë më 27 shkurt 2023 nga kryeministrat e dy vendeve, Dritan Abazoviç dhe Edi Rama. Kuvendi i Shqipërisë e kishte ratifikuar më herët dhe e kishte botuar në Fletoren Zyrtare në qershor të vitit 2023.

Ura, e planifikuar të jetë 380 metra e gjatë me tre harqe, do të përdoret nga makinat, kalimtarët dhe biçikletat, duke shërbyer si një nyje e re bashkimi jo vetëm fizik por edhe simbolik. Rruga e re që do të krijohet nga kjo urë shkurton distancën mes plazhit të madh të Ulqinit dhe Velipojës, por më e rëndësishmja – e shkurton distancën mes njerëzve.

Kjo nuk është thjesht një investim prej 20 milionë eurosh, që do të bashkëfinancohet në mënyrë të barabartë nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Kjo është një urë që lidh shqiptarët përtej kufijve shtetërorë – nga Ulqini në Velipojë, nga Plava e Gucia në Tropojë, nga Tetova në Shkodër, nga Gjakova në Lezhë.

Shqiptarët që për shekuj kanë ndarë të njëjtën gjuhë, të njëjtat zakone, të njëjtin det dhe shpesh të njëjtën tragjedi ndarjeje, sot marrin një copëz të vogël ribashkimi. Ura mbi Bunë nuk është vetëm infrastrukturë, por është inkurajim për një politikë të re të hapjes, integrimit dhe bashkëpunimit rajonal që shkon përtej marrëdhënieve protokollare mes shteteve.

Duke kaluar lumin që dikur ishte kufi i ngrirë, kjo urë i ofron Malit të Zi një portë të re drejt tregut shqiptar dhe Shqipërisë një akses më të natyrshëm drejt bregdetit të Ulqinit, ku jetojnë dhe punojnë mijëra shqiptarë. Më shumë lëvizje, më shumë turizëm, më shumë shkëmbime – do të thotë më shumë mirëqenie për komunitetet përreth, që për dekada kanë jetuar nën hije zhvillimi.

Kjo urë duhet parë gjithashtu si një hap konkret në drejtim të një ideje më të madhe: ajo e një hapësire të bashkuar shqiptare në Ballkan, të natyrshme, të ndërlidhur dhe funksionale, që nuk sfidon kufijtë politikë por i tejkalon me bashkëpunim. Një Ballkan ku shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi janë më afër njëri-tjetrit përmes infrastrukturës, tregtisë, kulturës dhe vetëdijes së përbashkët kombëtare.

Në një kohë kur kufijtë po shihen gjithnjë e më pak si ndarje dhe më shumë si ura bashkëpunimi, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë zgjedhur të ndërtojnë një urë reale që përfaqëson këtë frymë të re. Dhe është detyrë e klasës politike, e pushtetit lokal, e shoqërisë civile dhe e vetë qytetarëve që kjo urë të mos mbetet vetëm një vepër ndërtimi, por të kthehet në një arterie të gjallë të bashkëjetesës dhe zhvillimit të përbashkët.

Në fund të fundit, kjo urë nuk bashkon thjesht dy brigje të një lumi – ajo bashkon Velipojën dhe Ulqinin si dy bashkësi shqiptare të ndara artificialisht, por të lidhura natyrshëm nga historia, gjuha dhe deti i përbashkët. Ajo afron njerëzit që dikur ndanin sofrat dhe këngët, por që vite me radhë janë detyruar të përshkojnë kthina malore, rrugë të ngushta dhe itinerare të tejzgjatura për të takuar njëri-tjetrin.

Tani, dreka mund të hahet në Velipojë dhe darka në Ulqin – ose anasjelltas – pa ndjerë më barrën e një udhëtimi të lodhshëm që ndan njerëz që nuk duhej të ndaheshin kurrë. Kjo urë, në heshtje, vendos në vend një padrejtësi të vjetër: mungesën e lidhjes mes dy pjesëve të të njëjtit popull. /Albanianpost.com

Read Previous

CNN: Trump ka nisur një luftë historike tregtare globale

Read Next

Cilat janë përfitimet kryesore shëndetësore të konsumit të kafesë?