Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është shprehur se ende nuk ka një përgjigje përfundimtare lidhur me fatin e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës.
Ai ka rikujtuar se ish-Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, kishte rekomanduar heqjen e këtyre masave, ndërsa diskutimet në Këshillin Evropian po vazhdojnë.
“Kam frikë se nuk mund t’i jap një përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje. Siç e dini, ish-Përfaqësuesi i Lartë i rekomandoi Këshillit në qershor 2024 heqjen e masave. Më pas, në dhjetor 2024, Këshilli në konkluzionet e tij për zgjerimin deklaroi se BE-ja gradualisht do t’i heqë masat paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri. Diskutimet brenda Këshillit vazhdojnë dhe vendimi nëse masat do të hiqen përfundimisht i takon 27 vendeve anëtare të BE-së, pasi një vendim i tillë kërkon konsensus”, deklaroi Orav për Kosovo Online.
“Kusht thelbësor për rrugën drejt BE-së si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë është normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut”, shtoi ai, duke përsëritur qëndrimin e Unionit ndaj procesit të dialogut ndërmjet dy vendeve.