Presidenti i SHBA Joe Biden ka miratuar 571 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Tajvanin, i cili është nën presionin e shtuar ushtarak kinez, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Një muaj para largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë, presidenti në largim i kërkoi sekretarit të Shtetit, Antony Blinken të lejonte dërgimin e “artikujve dhe shërbimeve” ushtarake në mënyrë që “të ofrojë ndihmë për Tajvanin”.
Nuk janë bërë publike detaje të tjera në lidhje me këtë zarf të ri.
Në shtator, Joe Biden kishte miratuar tashmë ndihmën prej 567 milionë dollarësh.
Uashingtoni ka qenë prej kohësh aleati më i rëndësishëm i Tajpeit dhe furnizuesi më i madh i armëve, duke zemëruar Pekinin, i cili pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të tij.
Pa dhënë detaje të mëtejshme mbi ndihmën shtesë të dhënë, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit falënderoi Shtetet e Bashkuara për “angazhimin e tyre të fortë të sigurisë ndaj Tajvanit”.
Pekini ka intensifikuar presionin ushtarak dhe politik mbi Taipei në vitet e fundit, duke dërguar rregullisht anije luftarake dhe avionë luftarakë rreth Tajvanit.
Tajpei tha javën e kaluar se Kina kishte kryer një vendosje masive detare pranë ujërave të saj, duke përmendur “gati 90” anije.
Ky dislokim, më i madhi në vite, nuk është konfirmuar nga Pekini.
Gjatë pesë dekadave të fundit, Shtetet e Bashkuara i kanë shitur Tajvanit pajisje ushtarake dhe municione me vlerë miliarda dollarë, duke përfshirë avionë luftarakë F-16 dhe anije luftarake.
Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur historikisht një politikë “paqartësie strategjike” në lidhje me ndërhyrjen e mundshme ushtarake amerikane nëse Tajvani do të sulmohej nga Kina. /ATSH-DPA/