Bislimi e Petkoviçi nësër në Bruksel

Një cikël i ri i negociatave pritet të mbahet të martën (nesër, 2 korrik) në kryeqendren evropiane midis kryenegocitorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – ndërsa Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, synon të arrijë progres në implementimin e marrëveshjeve deri në fund të mandatit.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i cili, në një konferencë për shtyp të hënën, ka njoftuar se palët do të diskutojnë për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

Një përpjekje e fundit e BE-së për të ringjallur dialogun ka dështuar javën e kaluar për shkak të mosgatishmërisë së liderëve për t’u ulur në tryezën e negociatave. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka takuar veçmas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por pavarësisht përpjekjeve, nuk ka pasur takim trepalësh.

Kryeministri Kurti ka paraqitur tre kushte që duhen plotësuar nga Serbia si garanci për angazhimin e mëtejmë në dialog dhe së këndejmi, fillimin e zbatimit të marrëveshjeve, përfshirë dorëzimin e kreut të grupit terrorist, Millan Radoiçiç, para drejtësisë në Kosovë, i cili, pavarësisht agresionit të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve në funksion të kauzës së paqes./Albanianpost.com

Read Previous

Ahmeti takon Wattsin, e njofton për progresin e Kosovës

Read Next

Haxhiu kërkon transferimin e katër kosovarëve që po mbahen në burgjet e Serbisë