Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar është mister se si s’ka pasur takim trilaterial në Bruksel, ndonëse sipas tij, ftesa e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, paralajmëronte se do të kishte takim të tillë.
Ai ka thënë të martën se pala serbe e ka refuzuar trilaterial nga agjenda, duke kërkuar “futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik”.
“Edhe për ne është pak mister sepse ftesa ka qenë shumë e qartë e zotit Lajçak që do të ketë së pari të ketë takim bilateral dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral, pastaj është thënë që në takimin trilateral do të diskutohet rruga përpara në marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera nëse ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë, e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral, por si duket Serbia pastaj ka refuzuar të hyjë me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik, çka ne nuk kemi qenë dakord”, ka deklaruar Bislimi.
Sipas tij, në ftesë thuhej se temat e tjera mund të futen në diskutim vetëm me dakordimin e palëve, e “rrjedhimisht trilateral nuk ka mundur të kushtëzohet me pranimin ose jo të propozimeve të palës tjetër”./Koha.net