Bllokada ndal vaksinimin në veri të Kosovës

Procesi i imunizimit kundër koronavirusit për serbët në veri të Kosovës, është pezulluar deri në njoftimin e radhës, sepse dy vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinë dhe Bërnjak – janë bllokuar që nga 20 shtatori për shkak të reciprocitetit në targa, ka thënë drejtoresha e Qendrës Shëndetësore në Leposaviq, Ljiljana Vukadinoviq.

“Rivaksinimi dhe marrja e dozës së tretë të vaksinës për 62 pacientë nga territori i Komunës së Leposaviqit është anuluar”, ka thënë ajo.

Institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë funksionojnë në sistemin serb, dhe për serbët nga Kosova, vaksinimi është organizuar në qytetet në Serbi që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Kështu, serbët nga katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – po marrin vaksinën kundër COVID -19 në Rashkë, qytet kufitar në Serbi.

Disa nga vendasit e Leposaviqit, të cilëve u është anuluar vaksinimi dhe të cilët janë kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë thënë se janë të zhgënjyer nga situata e re, disa prej tyre kanë thënë se janë të frikësuar, por nuk duan të flasin publikisht për këtë gjë.

Autoritetet e Kosovës kanë nisur procesin e imunizimit në masë kundër koronavirusit në mesin e qershorit të këtij viti, por qendrat e vaksinimit nuk janë hapur në veri të Kosovës.

Kur bëhet fjalë për mjedisin serb, ato janë të hapura vetëm në komunat në jug të Ibrit, Graçanicës pranë Prishtinës, Novobërdës pranë Gjilanit dhe Shtërpcës pranë Prizrenit.

Drejt Rashkës vetëm në këmbë

Serbët e Kosovës kanë bllokuar pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak tash e nëntë ditë për shkak të masave reciproke të vendosura nga Qeveria e Kosovës, më 20 shtator për makinat me targa nga Serbia. Janë bllokuar edhe rrugët kryesore që çojnë në këto vendkalime, kështu që janë krijuar barrikada duke parkuar kamionë të rëndë.

Kalimi i kufirit mund të bëhet vetëm në këmbë.

Në dy pikat kufitare është edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore në Leposaviq, Ljiljana Vukadinoviq, shpjegon se procesi i vaksinimit duhej të ndërpritej sepse vendkalimi kufitar në Jarinë mund të kalohet vetëm në këmbë.

/Telegrafi/

Read Previous

Kryqi i Kuq: Raportimi për gjetjen e eshtrave të Ukshin Hotit është i pavërtetë

Read Next

Marrëveshja për targat e arritur në Bruksel, versioni origjinal