Çdo shantazh dhe çdo bojkotim i institucioneve të Kosovës nga përfaqësuesit e Listës Serbe, duhet parë si një instruksion që vjen nga Beogradi zyrtar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogiq.
Sipas tyre, Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb të Kosovës në institucionet e nivelit qendror, në Kuvend dhe Qeveri, si dhe që ka pushtetin në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe, është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi zyrtar, nga i cili edhe merr instruksionet për veprimet që bën.
Lista Serbe ka bojkotuar tri mbledhjet e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për të marrë vendimin për caktimin e seancës së radhës. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të martën, më 16 nëntor, kur Lista Serbe për herë të fundit bojkotoi punimet e kryesisë.
“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhduar kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne. Ne nuk pranojmë kurrfarë shantazhi në kryesinë e Kuvendit të Kosovës”, tha Konjufca në një konferencë për media.
/Telegrafi/