Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, ka vendosur të mos kandidojë për postin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Në një intervistë të fundit, ai ka përmedur arsyet që qëndrojnë pas këtij vendimi.
Pahori ka deklaruar se shpesh është akuzuar se favorizon Serbinë, duke qenë se pikëpamjet e tij për procesin e zgjerimit dallojnë nga politika e BE-së. Gjithashtu, ai ka shtuar të ketë mësuar se BE-ja kërkon një diplomat e jo një politikan për këtë post.
“Unë mbështes zgjerimin e BE-së në Ballkanit Perëndimor në paketë. E kuptoj mendimin e komisioneres dhe presidentes aktuale të Komisionit Evropian, që zgjerimi fillimisht duhet të ndodhë me një ose dy shtete – Malin e Zi dhe Shqipërinë – por kjo nuk garanton paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Pahori.
“Herë pas here jam akuzuar se favorizoj Serbinë. Por unë kurrë nuk e kam favorizuar vetëm Serbinë. Unë kam gëzuar mbështetje nga të gjitha shtetet e rajonit. Unë gjithmonë kam thënë, dhe e përsëris tani – koha do të tregojë se kam pasur të drejtë”.
Pahori ka theksuar se, nëse Serbia, për arsye të ndryshme, do të mbetet jashtë procesit të zgjerimit, atëherë paqja në Ballkanin Perëndimor nuk do të mund të arrihet. Ai ka paralajmëruar se Rusia, në këtë rast, do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në rajon.
“Nëse Serbia, për këto apo ato arsye, edhe për fajin e saj, do të mbetej jashtë procesit të zgjerimit, për një kohë të gjatë ose përgjithmonë, paqja në Ballkanin Perëndimor nuk do të jetë kurrë e mundur. Rusia gjithmonë do të luajë rol aktiv në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar mes tjerash ish-presidenti dhe ish-kryeministri slloven.
Ndryshe, deri më tash, pozitën e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi e ka mbajtur diplomati sllovak, Mirosllav Lajçak, i cili ka luajtur rol kyç në përpjekjet evropiane për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Por, mandati i Lajçakut përfundon më 31 janar 2025, dhe BE-ja tani është në proces të përzgjedhjes së pasuesit të tij. /Albanianpost.com