Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, duke folur për situatën ekonomike në vend ka potencuar se kreditë e marra nga Bankat në Kosovës gjatë vitit 2024 kanë mbërritur në 5.7 miliardë euro, prej të cilave 3.4 miliardë euro janë për ndërmarrjet, kurse 2.3 miliardë euro janë për ekonomitë familjare.
Në këtë kontekst, Ismaili ka nënvizuar faktin se kreditë për ekonomitë familjare gjatë vitit 2024 kanë shënuar një rritje prej rreth 20 për qind.
“Numri i kredimarrësve i përgjithshëm ka kaluar 36 mijë kredi marrës, në raport me rreth 35 mijë që ishin një vit më përpara”, ka thënë ai.
Ndër të tjera Ismaili ka njoftuar se normat e interesit kanë vazhduar trendin e rënies gjatë viteve të fundit dhe ky trend i njëjtë pritet që të ndodh edhe në vitin 2025.
Ismaili ka thënë se sipas të dhënave të fundit deri në fund të nëntorit 2024, norma mesatare e interesit për kredi ka rënë në 6.02 për qind, ndërsa hendeku mes normave të kredive dhe depozitave është ngushtuar në 3.15 për qind.
“Ne presim që bankat të reflektojnë ende në këtë hendekun që ekziston mes depozitave dhe kredive dhe po ashtu ambienti presim që të jetë mbështetës në këtë drejtim”, ka shtuar ai. /Albanianpost.com