Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kibernetike për periudhën 2025-2028, e cila është në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të BQK-së për krijimin e një kornize rregullative dhe mbikëqyrëse që adreson rreziqet kibernetike dhe forcon kapacitetet operacionale të institucionit.
Siç njofton BQK-ja, kjo strategji përcakton vizionin, objektivat dhe masat konkrete për mbrojtjen e infrastrukturës, sistemeve dhe informacionit të BQK-së nga rreziqet kibernetike.
“Strategjia bazohet në një qasje të integruar që përfshin ndërtimin e kapaciteteve, menaxhimin e rrezikut të sigurisë kibernetike, reagimin ndaj incidenteve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mekanizmave të kontrollit”, thuhet në njoftim.
BQK tha se për më tepër, kjo strategji krijon bazë për një strukturë të qëndrueshme të sigurisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike, duke garantuar mbrojtje efektive dhe përputhshmëri me standardet më të avancuara ndërkombëtare në këtë fushë. Strategjia përfshin gjithashtu një plan veprimi trevjeçar, me masa të qarta për zbatimin e saj.
“Gjatë hartimit të strategjisë janë marrë parasysh vlerësimet dhe rekomandimet që kanë dalë nga procesi i konsultimeve me Bankën Botërore, si dhe konsultimeve tjera profesionale”, thuhet në komunikatë.
BQK-ja shprehet mirënjohëse ndaj Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, në funksion të avancimit institucional si dhe stabilitetit financiar.
Në fund thuhet se BQK-ja mbetet e përkushtuar që të zbatojë standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, në zbatim të mandatin ligjor dhe objektivat e saj strategjike. /KosovaPress/