Britani: Si po përdoret AI për të zgjidhur rastet e vjetra të krimit

Disa nga rastet më famëkeqe mund të zgjidhen me ndihmën e një mjeti të Inteligjencës Artificiale.

Sipas mediave britanike, Policia e Avon dhe Somerset po testojnë teknologjinë e cila mund të identifikojë të dhëna të mundshme që mund të mos jenë gjetur gjatë një procesi manual të provave.

Siç bëhet e ditur, mjeti Soze – i zhvilluar në Australi – mund të analizojë pamjet video, transaksionet financiare, mediat sociale, emailet dhe dokumentet e tjera në të njëjtën kohë.

Një vlerësim tregoi se ai ishte në gjendje të rishikonte materialin provues në 27 raste komplekse në vetëm 30 orë – gjë që vlerësohet se për ta bërë një njeri – do t’i duhej deri në 81 vjet.

Gavin Stephens, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë, ka thënë se teknologjia mund të përdoret për të ndihmuar në mbylljen e disa prej rasteve më të vjetra dhe më famëkeqe të pazgjidhura të vendit.

“Unë mund ta imagjinoj këtë lloj gjëje të jetë vërtet e dobishme për shqyrtimet e rasteve të pazgjidhura”, u tha ai gazetarëve.

Stephens bëri të ditur se mjeti Soze është një nga “dhjetëra programet novator” që së shpejti mund të shpërndahen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Por ai tha se AI dhe teknologji të tjera si njohja e fytyrës dhe procedurat e automatizimit robotik “nuk janë një zëvendësim” për policinë, me një oficer që “duhet përfshirë në vendimet përfundimtare”.

“Kjo nuk është dorëzim i përgjegjësive tona tek teknologjia, por ajo që teknologjia po na ndihmon të bëjmë më mirë”, ka thënë Stephens. /Telegrafi/

Read Previous

Biden do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për herë të fundit si president

Read Next

SHBA do të dhurojë 1 milion doza vaksine mpox për të ndaluar shpërthimin në Afrikë