Bangladeshi është në një moment të rëndësishëm në historinë e tij derisa po përpiqet të rindërtojë veten pas viteve të sundimit autoritar. Një test jetik për progresin e vendit drejt demokracisë do të jetë aftësia e tij për të mbajtur gjykime të drejta për personat që drejtonin burgjet sekrete të ish-regjimit autoritar
Kur hetuesit thyen një mur të ndërtuar shpejt, ata zbuluan disa qeli sekrete burgu.
U pa se ishte një derë e murosur kohët e fundit – një tentativë për të fshehur atë se çfarë qëndronte mbrapa.
Brenda një korridori të ngushtë, kishte dhoma të vogla në të djathtë dhe të majtë. Ishte errësirë absolute.
Ekipi ka mundur të mos e gjejë kurrë këtë burg ilegal – shumë afër Aeroportit Ndërkombëtar të Dakës – pa kujtimet e Mir Ahmad Bin Quasem dhe të tjerëve.
Quasem një kritik i lideres së rrëzuar të Bangladeshit, Sheikh Hasina, është mbajtur aty për tetë vjet.
Ai është mbajtur me sytë e lidhur gjatë shumicës së kohës në burg, ai u mbështet në zërat që mund t’i kujtonte – dhe ai mbante mend shumë mirë zërat e aterimit të aeroplanëve.
Ajo ishte çfarë ndihmoi në udhëzimin e hetueseve drejtë bazës ushtarake afër aeroportit. Mbrapa ndërtesës kryesore në kompleks, ata gjetën strukturën më të vogël të ndërtuar nga blloqe dhe çimento – pa dritare- që ruhej shumë, ku mbaheshin të burgosurit.
Ishte fshehur në sy të të gjithëve.
Hetuesit kanë folur me qindra viktima si Quasem, që kur protestat masive gushtin e kaluar larguan qeverinë e kryeministres, Sheikh Hasina, dhe të burgosurit në burg ishin liruar. Shumë të tjerë dyshohet se janë vrarë.
Njerëzit që drejtonin burgjet sekrete, duke përfshirë edhe atë në rrugën nga aeroporti i Dakës, shumica ishin nga një njësit elitar kundër terrorizmit, “Batalioni i Veprimit të Shpejtë (RAB)”, që vepronin nga urdhra direkt nga Hasina, sipas hetuesve.
“Oficerët thanë se të gjitha zhdukjet janë bërë me aprovimin, lejen apo urdhrin nga vetë kryeministria”, ka deklaruar Tajul Islam, prokurori kryesor në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve në Bangladesh.
Partia e Hasinas ka deklaruar se krimet e dyshuara janë kryer pa dijeninë e saj, që nuk mbanë përgjegjësi dhe se Ushtria ka vepruar e vetme – akuzë që Ushtria e mohon.
Shtatë muaj që nga atëherë, Quasem dhe të tjerë mund të jenë liruar, por ata akoma janë të tmerruar nga mbajtësit e tyre, që janë duke shërbyer si anëtarë të Forcave të Sigurisë dhe janë akoma të lirë.
Quasem thotë se ai kurrë nuk e lë shtëpinë pa veshur një kapelë apo maskë.
“Gjithmonë duhet të shikoj mbrapa kur udhëtoj”.
Rrjet i burgut “sistematik dhe i shpërndarë”
Ai ngjitet ngadalë shkallëve dhe tregon se ku është mbajtur. Duke shtyrë një derë të rëndë të metalit, ai ul kokën dhe kalon përmes një dere tjetër në dhomën e “tij”, qelia ku ai është mbajtur për tetë vjet.
“Ndihesha si të isha i varrosur për së gjalli, i ndarë plotësisht nga bota e jashtme”, ka deklaruar ai. Nuk ka pasur dritare dhe derë për dritën natyrale. Kur ai ishte brenda, ai nuk mund të dallonte ditën dhe natë.
Quasem, avokat në të dyzetat e tij, ka bërë intervista më herët. Por kjo është hera e parë që ka bërë shpjegim të detajuar brenda qelisë së vogël që ai po mbahej.
E parë përmes dritës së dorës, është aq e vogël sa një person me gjatësi mesatare do të kishte vështirësi të qëndronte drejt. Vjen erë pluhuri. Disa nga muret janë të dëmtuar dhe copa të blloqeve qëndrojnë në tokë – një tentativë e fundit nga shkelësit për të shkatërruar provat e krimeve të tyre.
“Kjo është një qendër e mbajtjes. Ne kemi gjetur se më shumë se 500, 600, 700 qeli janë të shpërndara në të gjithë vendin. Kjo tregon se ka qenë e shpërndarë dhe sistematike”, ka deklaruar prokurori Islam.
Quasem po ashtu qartësisht kujton pllakat me ngjyrë të zbehtë të kaltër nga qelia e tij, tani që janë të thyera e shpërndara në dysheme. Në krahasim me qelitë në katin përdhes, kjo është shumë më e madhe 3m x 4.3 metra. Në njërën anë është një tualet.
Në një detaj të dhimbshëm, Quasem ecën rreth dhomës, duke përshkuar se si ai ka shpenzuar kohën e tij gjatë viteve në mbajtje. Gjatë verës, ishte shumë, shumë nxehtë. Ai ulej në dysheme dhe vendoste fytyrën e tij në bazë të derës sa mundte, që të marrë pak ajër.
“Ndihej më keq se vdekja”, ka deklaruar ai.
Është e vështirë për të që ta kujtojë atë periudhë të errët. Por Quasem beson se është e rëndësishme që bota të shohë se çfarë është bërë.
“Zyrtarët e lartë, drejtuesit e lartë që ndihmuan dhe nxitën regjimin fashist, janë akoma në pozitat e tyre”, ka deklaruar ai.
“Ne duhet ta tregojmë historinë tonë, dhe të bëjmë çfarëdo që mundemi për të siguruar drejtësi për ata që nuk janë kthyer, dhe të ndihmojmë të rehabilitohen ata që mbijetuan”.
Raportet e mëhershme thonë se ai ishte mbajtur brenda një qendre të njohur të mbajtjes – e njohur si Aynaghor apo “Shtëpia e pasqyrave” – brenda selisë kryesore të inteligjencës në Daka, por hetuesit tani besojë se ka pasur shumë qendra të tilla.
Quasem ka deklaruar se ai e ka shpenzuar të gjithë mbajtjen e tij në bazën RAB, përveç 16 ditëve të para. Hetuesit tani dyshojnë se zona e parë e mbajtjes ka qenë një degë e detektivëve të policisë në Daka.
Ai beson se u arrestua si pasojë e politikave të familjes së tij. Në vitin 2016 ai ishte duke përfaqësuar babanë e tij, një anëtar i lartë i partisë më të madhe islamike në vend, Jamaat-e-Islami. Babai i tij ishte gjykuar dhe më vonë u ekzekutua.
“Mendova se kurrë nuk do të dal”
Pesë burra të tjerë kanë përshkruar se si janë marrë, me sytë dhe duart e lidhura, të mbajtur në qeli të errëta të betonit pa qasje me botën e jashtme. Në shumë raste ata thonë se janë rrahur dhe torturuar.
Të gjithë dëshmitarët thonë se janë kapur atë ditë, ata mund të jenë arrestuar në rrugë dhe kanë udhëtuar përmes një autobusi.
“Tani, sa herë hyj në veturë apo kur jam vetë në shtëpi, frikësohem duke menduar se ku kam qenë. Mendoj se si kam shpëtuar, se a supozohej me të vërtetë që unë të mbijetoja”, ka deklaruar Atikuir Rahman Rasel, 35-vjeçar.
Ai thotë se hunda e tij është thyer dhe ndien dhimbje akoma në dorën e tij.
“Ata më vendosën pranga dhe më rrahën shumë”, ka shtuar ai.
Rasel thotë se disa burra i janë afruar jashtë një xhamie në qytetin e vjetër të Dakës korrikun e kaluar, derisa protestat antiqeveritare po vazhdonin. Ata thanë se ishin nga forcat e rendit dhe ai duhet të shkonte me të.
Në minutën tjetër, ai është vendosur në një veturë ngjyrë hiri, i prangosur, dhe sytë e lidhur. 40 minuta më vonë, ai është nxjerrë nga vetura, është dërguar në një ndërtesë dhe është vendosur në një dhomë.
“Pas rreth gjysmë ore, njerëzit filluan të vijnë një nga një, duke pyetur. Kush je ti? Çfarë ke bërë? Dhe fillonin rrahjet”, ka shtuar ai.
“Të qenit brenda atij vendi ishte tmerruese. Mendoja se kurrë nuk do të dilja jashtë”0.
Rasel tani jeton me motrën e tij dhe burrin e saj. I ulur në një karrige në apartamentin në Daka, ai ka përshkruar në detaje javët e tij në mbajtje. Ai flet me pak emocione, në dukje i shkëputur nga përvoja e tij.
Edhe ai po ashtu beson se mbajtja e tij ishte e motivuar politikisht, sepse ai ishte një lider studentor me Partinë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP), ku babai i tij ishte anëtarë i lartë. Vëllai i tij, i cili jetonte jashtë vendit, do të shkruante shpesh në mediat sociale kritika për Hasinan.
Rasel thotë se nuk kishte mënyrë të dijë se ku po mbahej. Por pasi ka parë liderin e përkohshëm, Muhammad Yunus, të vizitojë tri qendra të mbajtjes më herët gjatë vitit, ai mendon se është mbajtur në distriktin Agargaon në Daka.
“Më kanë thënë se do të zhdukem”
Ishte një sekret i hapur që Hasina nuk kishte tolerancë për disidentët politikë. Kritika ndaj saj mund t’i “zhdukte” njerëzit pa asnjë gjurmë, thonë kundërshtarët dhe hetuesit.
Por numri total i njerëzve që kanë humbur mund të mos qartësohet kurrë.
Një Organizatë Joqeveritare nga Bangladeshi, që ka ndjekur zhdukjet me forcë që nga 2009-ta, ka dokumentuar së paku 709 njerëz që janë zhdukur me forcë. Në mesin e tyre, 155 persona akoma rezultojnë të zhdukur. Që kur është krijuar Komisioni për Hetimin mbi Zhdukjet me Forcë në shtator, ata kanë marrë më shumë se 1,676 ankesa nga viktima të dyshuara dhe më shumë njerëz vazhdojnë të paraqiten.
Por ajo nuk përfaqëson numrin total, që besohet të jetë shumë më i madh.
Përmes bisedës me njerëz si Quasemi, Tajul Islam është në gjendje të ndërtojë një çështje kundër atyre që janë përgjegjës për qendrat e mbajtjes, duke përfshirë Sheikh Hasina.
Pavarësisht se mbaheshin në vende të ndryshme, narrative e viktimave është pothuajse e njëjtë.
Mohammad Ali Arafat, zyrtar i partisë së Hasinas, Liga Awami, mohon çdo përfshirje. Ai thotë se nëse njerëzit janë zhdukur me forcë, nuk është bërë nën urdhrat e Hasinas – e cila është akoma në Indi, ku ka ikur – apo dikujt në kabinetin e saj.
“Nëse këto mbajtje kanë ndodhur, do të ketë qenë produkt i dinamikave komplekse të brendshme të Ushtrisë. Nuk shoh përfitime politike për Ligën Awami apo për qeverinë të mbajë këta njerëz në mbajtje sekrete”, ka deklaruar Arafat.
Zyrtarë nga ushtria e kanë mohuar këtë akuzë duke thënë se “nuk kanë pasur dijeni për këto gjëra që janë duke u përmendur”.
“Ushtria kategorikisht mohon operimin në këso qendra të mbajtjes”, ka deklaruar Leitnant Kolonel Abdullah Ibn Zaid.
Tajul Islam beson se njerëzit që janë mbajtur në këto qendra janë prova për përfshirjen e Ligës Awami. “Të gjithë njerëzit që janë mbajtur këtu kanë identitete të ndryshme politike dhe vetëm kanë ngritur zërin kundër regjimit të kaluar, qeverisë së asaj kohe, dhe kjo është pse ata janë sjellë aty”, ka thënë ai.
Deri tani ata kanë lëshuar 122 fletarreste, por akoma askush nuk është sjellë para drejtësisë.
Që është arsyeja pse viktima sikur Iqbal Chowdhury, 71-vjeç, beson se jetët e tyre janë akoma në rrezik. Chowdhury dëshiron të largohet nga Bangladeshi. Për disa vite pasi është liruar në vitin 2019, ai nuk ka dalë nga shtëpia e tij, as të shkoj në market. Chowdhury është paralajmëruar nga mbajtësit e tij që kurrë të mos flasë për mbajtjen e tij.
“Nëse tregon ndonjëherë se ku ke qenë apo se çfarë ka ndodhur, dhe nëse kapesh përsëri, askush nuk do të ju gjejë apo shohë përsëri. Do të zhdukesh nga kjo botë”, ka thënë ai se i është thënë.
I akuzuar për propagandë kundër Indisë dhe Ligës Awami, Chowdhury thotë se kjo është pse ishte torturuar.
“Jam sulmuar fizikisht me një elektroshok si dhe më kanë rrahur. Tani njëri nga gishtat e mi është i dëmtuar rëndë nga elektroshoku. Humba fuqinë e këmbës, humba fuqinë fizike”, ka shtuar ai, derisa ka kujtuar zërin e të tjerëve që torturoheshin fizikisht, burra të rritur që rënkonin dhe qanin në agoni.
“Jam akoma i frikësuar”, ka deklaruar Chowdhury.
“Do të kem frikë derisa të vdes”
Rahmatullah, 23 vjeçar, po ashtu është i terrorizuar. “Ata morën një vit e gjysmë nga jeta ime. Ajo kohë nuk do të më kthehet. Ata më detyruan të fle në një vend ku një njeri kurrë nuk duhet të jetë”, ka deklaruar ai.
Më 29 gusht 2023, ai është marrë nga shtëpia e tij në mesnatë nga oficerët e RAB-it, disa në uniformë dhe disa në rroba civile. Ai po punonte si kuzhinier në një qytezë fqinje derisa po trajnohej për t’u bërë elektricist.
Pas përsëritjes së marrjes në pyetje, Rahmatullahut iu bë e qartë se po mbahej me forcë për postimet e tij islamike dhe kundër Indisë në mediat sociale. Duke përdorur një laps dhe një letër, ai pikturon strukturën e qelisë së tij, duke përfshirë edhe kanalin që ai përdorte për nevojat fiziologjike.
“Edhe vetëm mendimi për atë vend në Daka më bën të ndihem shumë keq. Nuk ka pasur hapësirë për t’u shtrirë si duhet, më duhej të flija i mbledhur. Nuk mund t’i shtrija këmbët derisa isha i shtrirë”, ka deklaruar ai.
Janë intervistuar edhe dy ish-të burgosur – Michael Chakma dhe Masrur Anwar – për të vërtetuar disa nga detajet rreth burgjeve sekrete dhe çfarë dyshohet të ketë ndodhur brenda tyre.
Disa nga viktima jetojnë me shenja fizike. Të gjithë nga ta flasin për pasojat psikologjike që i ndjekin kudo që shkojnë.
Bangladeshi është në një moment të rëndësishëm në historinë e tij derisa po përpiqet të rindërtoj vetën pas viteve të sundimit autoritar. Një test jetik për progresin e vendit drejt demokracisë do të jetë aftësia e tij për të mbajtur gjykime të drejta për kryerësit e këtyre krimeve.
Islam beson se mundet, dhe duhet të ndodhë. “Ne duhet të ndalojmë përsëritjen e këtij lloj krimi për gjeneratat e ardhshme tona. Dhe ne duhet të bëjmë drejtësi për viktimat. Ata kanë vuajtur shumë”, ka shtuar ai.
Duke qëndruar në atë çfarë ka mbetur nga qelia e tij prej betoni, Quasem thotë se një gjykim duhet të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur që vendi të mbyll këtë kapitull.
Nuk është kaq e thjesht për Rahmatullah.
“Frika nuk është larguar. Do të kem frikë derisa të vdes”, ka shtruar Rahmatullah./koha.net/