Capello paralajmëron Mottën: Te Juve duhet të rrezikosh më shumë

Fabio Capello, ish-trajneri i Milanit, Romës, Juventusit, Real Madridit, Anglisë dhe Rusisë, analizoi krizën e bardhezinjve për “Gazzetta dello Sport”: “Juventusi nuk ka ekuilibër dhe kjo e bën skuadrën shumë të cenueshme. Kundër Empolit, trajneri Motta ndryshoi qasje. Skuadra kërkoi, me të drejtë, të luante më vertikalisht, të shpejtonte manovrën. Një ndryshim i tillë duhej bërë shumë më herët.

Te Bologna, loja e Mottës bazohej në pasimet horizontale, ndërtim të gjatë dhe të durueshëm, me përshpejtim në 20 metrat e fundit falë cilësive të veçanta të Zirkzee. Kjo strategji funksionoi atje edhe për shkak të qasjes së kundërshtarëve, të cilët ishin më të hapur dhe më sulmues krahasuar me llojin e ndeshjeve që Juventusi përballet zakonisht. Te Juve duhet të rrezikosh më shumë, të gjesh mënyra për të mos qenë kaq i parashikueshëm.

13 barazimet në kampionat janë edhe pasojë e këtij qëndrimi; pikë të lëna rrugës për shkak të një qasjeje tepër të lexueshme. Motta nuk duhet të ketë frikë të ndryshojë kurs, sepse ka lojtarë që mund ta shpejtojnë lojën”.

Capello vijoi më tej: “Sigurisht, duhet edhe një ndryshim mentaliteti. Dhe këtu puna e trajnerit është thelbësore. Motivimi nuk është i nevojshëm kur përballesh me skuadra të mëdha, por kur luan ndeshje ku rezultati duket i parashikuar dhe rrezikon të nënvlerësosh kundërshtarin. Një skuadër nuk ndizet dhe fiket si një çelës dritash, menaxhimi i trajnerit është vendimtar”.

Në fund, Capello nënvizoi: “Pastaj ka një çështje tjetër jetike… Merkatoja nuk ka dhënë rezultatet e pritura dhe, mbi të gjitha, jo për sa është investuar. Drejtuesit dhe stafi teknik duhet të reflektojnë seriozisht mbi zgjedhjet e bëra.

Kriteri i parë për përzgjedhje është të kuptosh cilët lojtarë janë vërtet të nivelit të Juventusit, sepse nëse gabon në këtë, problemet vijnë më pas. Përfundimi? Klubi ka vendosur të nisë një rrugë të re me Thiago Mottën, por tani të gjithë duhet të tregojnë se janë të denjë për Juventusin. Nga lojtarët te trajneri. Dhe jo vetëm ata”. /Telesport.al/

Read Previous

Analiza e BBC: Përplasja Trump-Zelensky sinjalizon një krizë të afërt midis Evropës dhe SHBA-së

Read Next

​Çmimi aktual dhe ai mesatar i energjisë elektrike në dhjetë vitet e fundit