Policia e Kosovës i ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë gjatë një konference për media në Ferizaj se dyshohet e para janë se motivet e vrasjes kanë të bëjnë me punën e rreshterit si zyrtar policor.
Hoxha dhe Çerkini nuk treguan emrat e të arrestuarve, por thanë se disa prej tyre kanë të kaluar kriminale.
“Disa nga të arrestuarit kanë pasur të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar në të kaluarën për raste në lidhje me prirje ekstremiste”, tha Hoxha.
“Për çështjen e terrorizmit duhet ta shohim pastaj sepse hetimet duhet të vazhdojnë tutje për ta vërtetuar këtë punë, por janë persona të dyshuar, të rrezikshëm, të cilët ne dyshojmë që e kanë kryer këtë vrasje, e kanë planifiku dhe po ashtu e kanë ekzekutuar”, tha ai.
“Nga ajo që kemi deri më tani, nuk kemi ndonjë provë që grupi lidhet me ISIS-in apo ndonjë organizatë ekstremiste”, ka deklaruar kryeprokurori Çerkini.
Hoxha tha se disa nga të dyshuarit ishin arrestuar edhe në rastin e djegies së gjykatës në Kaçanik.
“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe pastaj ka punuar në mbështetje të hetimeve të policisë në ndriçimin e këtyre rasteve. Domethënë këta janë persona të dyshuar që kanë qenë të arrestuar më herët në rastin e pamfletëve dhe djegien e gjykatës në Kaçanik”, deklaroi Hoxha gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media./Telegrafi/