Gati 1000 ditë që kur Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës, Uashingtoni thuhet se ka autorizuar përdorimin e ATACMS për sulmet thellë në territorin rus.
Çfarë ndryshimi mund të sjellë kjo lëvizje dhe cilat objektiva mund të godasë Kievi?
Bëhet e ditur se SHBA-së iu desh rreth një muaj për të dalë me një përgjigje ndaj vendosjes së forcave të Koresë së Veriut në fushën e betejës në rajonin Kursk, pasi inteligjenca e Ukrainës paralajmëroi për dërgimin e personelit të Phenianit në Rusi në mes të tetorit.
Më 24 tetor, Kievi tha se njësitë e para të Koresë së Veriut të trajnuar në Rusi ishin vendosur në Kursk.
Disa ditë më vonë, SHBA-ja dhe NATO-ja konfirmuan se edhe ata kishin prova për përfshirjen e trupave koreano-veriorë në luftën Rusi-Ukrainë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Por, edhe përpara raporteve të para për përfshirjen e Phenianit, Kievi i kërkoi Uashingtonit të hiqte kufizimet për përdorimin e armëve amerikane thellë në territorin rus.
Ukraina ka argumentuar për një kohë të gjatë se kufizimet në përdorimin e armëve me rreze të gjatë, veçanërisht ATACMS, po “mbysin” përpjekjet e saj të luftës, ndërsa Uashingtoni pretendoi se lejimi i Ukrainës të godasë thellë në territorin rus me armët e saj mund të përshkallëzojë luftën.
E tani që mediat raportojnë se SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës dritën e gjelbër për të sulmuar, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) zbuloi një hartë që rendit të gjitha objektivat e mundshme që ushtria ukrainase mund të godasë.
Ndërsa një zyrtar amerikan tha se armët synohen të përdoren kryesisht në Kursk – rajoni i Rusisë ku Ukraina nisi kundërsulmin e saj të befasishëm në verë./telegrafi/