Çfarë thonë Jung, Aurelius dhe Dostojevski për opinionin e të tjerëve rreth nesh?

Natyrshëm, çdo njeri është i prirur të shqetësohet për opinionin e të tjerëve në lidhje me të, pasi si na shohin të tjerët është tejet e rëndësishme për formimin e marrëdhënieve të mira dhe të jetuarit të një jete të kompletuar në komunitet. Megjithatë, fokusi i tepërt në “krijimin e një përshtypjeje të mirë” është një nga shkatërrimtarët më të mëdhenj të shëndetit tonë mendor. Të lejosh veten herë pas here të bëhesh objekt shakaje, apo edhe të pranosh se do të refuzohesh, të mundëson ta jetosh më i qetë dhe me pritshmëri realiste.

Është shumë mahnitëse. Ne e duam veten më shumë seç duam të tjerët, por shqetësohemi për opinionet e tyre, më shumë sesa për tonin”– ka thënë Perandori romak dhe njëkohësisht filozofi stoik, Markus Aurelius.

Suksesi në jetën profesionale dhe dashurore apo jeta e shëndetshme na shtyjnë drejt krijimit të një imazhi reklamues, që përfaqëson atë që duam t’i prezantojmë botës, si dhe njëkohësisht atë që duam të fshehim prej saj. Ndonëse kujdesi për botën “e jashtme” është tejet i rëndësishëm për shoqërinë në tërësi, kurrsesi nuk duhet të harrojmë inspektimin e botës së brendshme dhe ndonjëherë edhe t’i lejojmë vetes të sillemi në një mënyrë që mund t’i bëjë njerëzit të na shohin “shtrembër”. Nesë beson se diçka është e drejtë, mos lejo imponimin artificial të të tjerëve të ndrydhë besimin tënd. Sipas psikanalistit Karl Jung, supresioni i vetes për hir të aparencave dëmton mirëqenien tonë psikologjike.

“Njeriu interesat e të cilit janë të gjitha jashtë tij, nuk është kurrë i kënaqur me atë çka është e nevojshme, por është i dënuar që përjetësisht të rendë pas diçkaje më të mirë, që kurrë nuk arrin dot, sepse çdo objekt qëndron jashtë tij. Një njeri i tillë harron se në ndjekje të suksesit në botë ka harruar vetveten së brendshmi. Natyrisht, një jetë e bukur dhe e plotë duhet të jetohet në shoqëri, por nëse nuk ndjek vetvetja autentike jetën në çdo hap, humbasim në errësirat e ndërgjegjes, vetë lumturinë tonë”- ka shkruar Jung në librin “Psikologjia dhe Religjioni”.

Qëllimi i Jung nuk është të promovojë asketizmin, apo një jetë të veçuar, por ju duhet të pyesni veten, a do të mund të largoheshit nga shoqëria dhe prapë të ishit të vetëkënaqur? Nëse lumturia e qenies suaj varet nga statusi profesional dhe të mirat materiale që posedoni, atëherë jeni të varur nga forcat e jashtme dhe çdo prishje e ekuilibrit (një pushim nga puna, ose humbja e vlerës së pronës) do u sjellë depresionin dhe nihilizmin në derë.

Por, si mund t’i shmangemi varësisë nga opinioni i të tjerëve?! Për të arritur këtë filozofi i shekullit XVI, Michel de Montaigne këshillon: “Çfarëdo gjë, qoftë art apo natyrë, në rast se përkufizon ekzistencën e vet në raport me të tjerët do të bëjë më shumë keq sesa mirë. Ne gënjehemi kur e gjykojmë veten si të mirë apo të keq, sepse bota na ka cilësuar ashtu. Duhet të jetojmë një jetë autentike dhe autarkike shpirtërisht, ku plotësimi ynë të varet nga objektivat tona shpirtëtore”– ka shkruar ai në esenë “Mbi Vanitetin”.

Që të arrish të jetosh i pavarur nga opinioni i botës, duhet të jetosh me humor dhe herë pas here të qeshësh me kotësinë e vetvetes dhe të mos kemi frikë refuzimin nga të tjerët. Ashtu si shkruan dhe Dostojevski “Njerëzit më të mençur janë ata që e quajnë veten idiot, më së paku një herë në muaj.”

Askush nuk është i përkryer, për pasojë as unë… pranimi i kësaj deklarate të thjeshtë është një hap kolosal drejt një jete më autonome dhe realiste që shmang rrezikun e zhgënjimit që ndodhet kudo rreth nesh në botë.

Read Previous

Shteti i Kosovës – e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull

Read Next

Rezultatet aktuale, ja nga sa ulëse i marrin partitë në Kuvend