Cilat janë ndryshimet që do të ndodhin në mandatin e dytë të Trumpit?

Administrata e re e Donald Trumpit pritet të nisë me ndryshime rrënjësore në shumë aspekte, në krahasim me të parën, në vitet 2016-2020. Në një intervistë për “Fox News”, pak ditë para zgjedhjeve, Trumpi pati deklaruar se kur e kishte marrë mandatin e parë nuk e njihte askënd, sepse nuk ishte një person i Washingtonit. Tani thotë se i njeh të gjithë dhe do ta bëjë vendin të madh përsëri

Donald Trumpi do të kthehet sërish në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit. Aleatët dhe kundërshtarët e tij e kanë bërë të qartë se mandati i tij i dytë nuk do të duket aspak si i pari.

Me Partinë Republikane tashmë tërësisht në krah, Trumpi do të hyjë në Zyrën Ovale me përvojë pune në atë detyrë e po ashtu edhe me shumë pakënaqësi për mënyrën se si ai beson se sistemi ndikoi në dështimin e tij.

Ndryshe nga fitorja e tij e parë në vitin 2016, Trumpi kësaj radhe është në rrugën e duhur për të fituar votën popullore duke ia dhënë atij një mundësi për të kërkuar një mandat të mbështetjes mbarëkombëtare që nuk e pati herën e fundit.

“Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedent dhe të fuqishëm”, i ka thënë Trumpi një turme të entuziazmuar në West Palm Beach, Floridë, të mërkurën herët në mëngjes. 

“Unë do të qeveris me një moto të thjeshtë: premtime të bëra, premtime të mbajtura”, e ka përmbledhur ai qasjen e tij ndaj mandatit të dytë.

Kjo i bën katër vjetët e ardhshëm të pasigurta që nuk mund të parashikohen lehtësisht dhe pritet të dallojnë nga mandati i parë.

Rivalja e tij, zëvendëspresidentja Kamala Harris, u përpoq t’i paralajmëronte votuesit për rreziqet. Por për mbështetësit e Trumpit, premtimet për të rregulluar atë që ai e quajti një vend i shkatërruar, edhe nëse kjo do të thotë braktisje e parimeve të mbajtura prej kohësh, ishte e gjithë çështja.

Figura që dikur shpresonin të vepronin si forca stabilizuese, duke përfshirë një varg shefash të shtabit, sekretarë të mbrojtjes, një këshilltar për Sigurinë kombëtare, një këshilltar i Inteligjencës kombëtare dhe një prokuror i Përgjithshëm, e kanë braktisur Trumpin, duke lënë pas akuzat për karakterin dhe aftësitë e tij.

Ata janë zëvendësuar nga një grup këshilltarësh dhe zyrtarësh të painteresuar për të mbajtur nën kontroll Trumpin. Në vend që të veprojnë si mburoja kundër tij, ata që punojnë për Trumpin këtë herë ndajnë pikëpamjet e tij dhe synojnë të mbajnë premtimet ekstreme që ai bëri si kandidat, pa u shqetësuar për normat, traditat apo ligjin që kërkuan të ruanin ndihmësit e kaluar.

Gjetja e besnikëve

Boshti i ndikimit të Trumpit është zhvendosur shumë që kur ai ishte larguar nga detyra në janar të vitit 2021. Ndërsa vajza e tij Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, dikur ishin zëvendësues të shquar të fushatës dhe punonjës të lartë të Shtëpisë së Bardhë, ata që nga ajo kohë janë larguar nga rryma e përditshme e politikës. 

Në vend të kësaj, Trumpi e ka gjetur veten duke u mbështetur në njerëz si Donald Trump Jr., Elon Musk dhe Susie Wiles gjatë kandidimit të tij të tretë për Shtëpinë e Bardhë.

Ish-presidenti gjithashtu duket i etur për t’i shpërblyer ata që e mbështetën, si Robert F. Kennedy Jr., edhe nëse pikëpamjet e tyre ekzistojnë shumë jashtë rrjedhës kryesore. Pavarësisht besimit të tij në teoritë e konspiracionit të vaksinave dhe komenteve antisemitike, Kennedy Jr., ka thënë së fundmi se Trump i tha atij se do të “luftonte” për të nëse Kennedy dëshiron të drejtojë Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. 

Shkaku i përvojave në lidhje me zyrat ligjore të agjencive, Trumpi do të përpiqet që këtë radhë ta mbushë qeverinë e tij me avokatë që do të punojnë për të gjetur arsyetimin ligjor edhe për idetë e tij më radikale, në vend që të ngrenë shqetësime.

Madje tani, Trumpi e ka anashkaluar procesin konvencional të tranzicionit dhe ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje etike që do t’i hapnin rrugë ekipit të tij të fillonte të punonte me administratën e Joe Biden në dorëzimin, një proces që zakonisht fillon gjashtë muaj para zgjedhjeve. Ndalimi buron nga mosbesimi i thellë i Trumpit ndaj agjencive federale, sigurisht atyre që nuk drejtohen nga besnikët e tij. Kjo do të thotë se ekipit të tij nuk i është dashur të zbulojë donatorët për procesin e tij të tranzicionit, por gjithashtu është bllokuar nga informimet e sigurisë kombëtare dhe nga marrja e miliona dollarëve në financim për të ndihmuar tranzicionin.

Në Kongres, ku republikanët e moderuar kritikonin herë pas here sjelljet më të çuditshme të Trumpit, besnikëria ndaj Trumpit tani është pothuajse unanime në mesin e Partisë Republikane. Përpjekjet për të vendosur kufizime në pushtetin presidencial gjatë katër vjetëve të fundit kryesisht dështuan dhe republikanët anti-Trump ose janë tërhequr ose janë përjashtuar.

Zgjerimi i pushtetit

Gjykatat federale gjithashtu janë riformuar që kur Trumpi ishte në detyrë, duke përfshirë Gjykatën e Lartë, e cila tani ka një supershumicë konservatore që mund të afirmojë veprimet që do të ishin anuluar nga Gjykata e lartë kur Trump ishte për herë të parë në krye të shtetit. Ai gjithashtu po rimerr pozicionin e tij në krye të qeverisë federale me një nivel shumë të zgjeruar pushteti, pasi Gjykata e Lartë vendosi që presidentët të kenë imunitet nga aktet zyrtare në detyrë. Fitorja e Trumpit ka të ngjarë ta largojë atë nga problematikat me të cilat përballej, nëse jo nga të gjitha, të paktën nga çështjet ligjore që janë të hapura ndaj tij.

Ndoshta më e rëndësishmja, vetë Trumpi 78 vjeç, ka ndryshuar, thonë njerëzit që e njohin. Kanë kaluar gati katër vjet që kur është largua nga Washingtoni në vitin 2021, dhe megjithëse nuk ka publikuar detaje konkrete për shëndetin e tij, ai është shfaqur në momente i lodhur ose i paqëndrueshëm.

Ai tani është një kriminel i dënuar dhe ai ende përballet me dhjetëra aktakuza të tjera, e ardhmja e të cilave tani është e pasigurt.

Dhe ai është bërë, publikisht dhe privatisht, i stërngarkuar nga ndëshkimet në mënyra që nuk ishin aq të dukshme të paktën në ditët e para të administratës së tij të parë. Ai është më i zemëruar dhe bën pak përpjekje për ta fshehur tërbimin e tij.

Katër vjetët e presidencës së parë të Trumpit u shënuan nga shpërbërja e vazhdueshme e stafit, vendime kaotike të bazuara në teka, dhe zhgënjime të vazhdueshme nga ana e presidentit që qeveria federale nuk mund t’i nënshtrohej vullnetit të tij.

Ai zemërohej nganjëherë në Departamentin e Drejtësisë për dështimin, sipas mendimit të tij, për të hetuar siç duhet armiqtë e tij politikë ose për të ngritur akuza kundër tyre. Dhe ndërsa ai u përpoq, dhe më vonë u fajësua për këtë, për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, përpjekjet e tij dështuan.

Edhe për sa i përket politikës, shumica e asaj që Trumpi u përpoq të bënte u zhbë, ose nga ndihmësit që lëvizën rreth presidentit për të zbutur efektin e urdhrave të tij ose nga paaftësia nga një staf që vinte kryesisht nga jashtë qeverisë.

Kësaj radhe, shumë prej kundërshtarëve ndaj veprimeve më ekstreme që ka propozuar Trumpi do të mungojnë. Dhe njerëzit që punojnë për të janë bërë më të aftë në tërheqjen e levave të qeverisë për të përdorur pushtetin në mënyrë më efektive.

Gjithçka gati

Trumpi ka një sërë urdhrash ekzekutivë, dokumente politikash dhe ndryshime rregulloresh gati për t’i nisur sapo të inaugurohet, kanë thënë dy burime të njohura me planin.

Teksa kërkojnë stafin e administratës së re, Trumpi dhe ndihmësit e tij e kanë bërë të qartë se po kërkojnë besnikëri mbi gjithçka tjetër, të goditur nga të emëruarit e nivelit të lartë që u kthyen kundër Trumpit në administratën e kaluar. Trumpi i ka llogaritur vendimet e tij të personelit si ndoshta gabimet më të mëdha të presidencës së tij të parë.

Kjo do të thotë se vendimet e personelit këtë herë do të dizajnohen qëllimisht rreth individëve që nuk do të punojnë për të minuar agjendën e tij nga brenda, një akuzë që Trumpi ka bërë kundër atyre që ai shkarkoi nga Shtëpia e Bardhë.

Ish-prokurori i tij i përgjithshëm, Bill Barr, paralajmëroi gjatë një interviste në CNN verën e kaluar se besnikëria “është një rrugë njëkahëshe për të”. Por shumë persona që do të punojnë për herë të parë me të kanë shprehur interes për të punuar për Trumpin pavarësisht kësaj.

Bashkëkryetari i tij në tranzicion, shefi ekzekutiv i “Cantor Fitzgerald”, Howard Lutnick, ka rreshtuar mijëra punonjës të mundshëm për presidentin e sapozgjedhur. Trumpi tronditi ekipin e tij të tranzicionit brenda disa ditësh pasi fitoi Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016.

Trumpi gjithashtu e ka bërë të qartë javët e fundit, teksa ka menduar për pozicione të mundshme të nivelit të lartë, se do të jetë mirë me anashkalimin e Kongresit dhe procesit tipik të konfirmimit të kabinetit për të emëruarit. Trumpi i ka pyetur vazhdimisht kandidatët nëse janë të gatshëm të shërbejnë si ushtrues detyre, duke besuar se kjo i jep atij më shumë fleksibilitet nëse ai ndryshon mendje.

Puna për gjetjen e atyre njerëzve filloi shumë përpara zgjedhjeve, pasi organizata të ndryshme të lidhura me Trumpin filluan të bënin lista me persona besnikë për të paraqitur ekipin e tranzicionit të Trumpit nëse ai fitonte. Presidenti i sapozgjedhur kishte filluar të ndërmerrte hapa për të çrrënjosur punonjësit e qeverisë që konsideroheshin jo mjaftueshëm besnikë gjatë vitit të fundit të mandatit të tij të parë, një përpjekje e udhëhequr nga njeriu i tij i dikurshëm John McEntee. Tani këto përpjekje do të jenë në fuqi që nga fillimi i administratës.

Vetë Trumpi ka premtuar se do të marrë mësime nga hera e tij e parë në Shtëpinë e Bardhë dhe do t’i zbatojë ato tani, pjesërisht për të shmangur ato që ai thotë se ishin gabime që penguan aftësinë e tij për të qeverisur ashtu siç dëshironte.

“Nuk kam njohur askënd (gjatë mandatit tim të parë). Unë nuk isha një person i Washingtonit. Unë kam qenë rrallë atje”, ka thënë Trumpi javën e kaluar në një intervistë për Fox News. 

“Unë i njoh të gjithë (tani). Unë njoh të mirën, të fortën, të dobëtin, budallenjtë. Unë e di – i njoh të gjithë. Dhe ne do ta bëjmë këtë vend të madh përsëri, dhe ne duhet ta shpëtojmë vendin tonë”, ka shtuar ai./koha.net/

Read Previous

Aksioni i antidrogës në Prizren

Read Next

Susie Wiles shefe e stafit në Shtëpinë e Bardhë