50 hektarë grurë janë mbjellur në këtë zonë në dalje të qytetit të Gjakovës. Fermeri Metë Zeqa tha që 10 hektarë ka planifikuar t’i mbjellë misër si dhe 10 hektarë të tjerë me bizele. Kushtet atmosferike të cilat po mbizotërojnë janë tejet të përshtatshme, për të mbjellat, shtoi Zeqa.
Vështirësia e vetme po konsiderohet rritja e çmimit të plehut e cila ka pësur një ngritje enorme. Zeqa tha që nga 5 deri në 6 mijë sa kishte kushtuar plehnimi i këtyre hektarëve të mbjella me grurë i cili është i domosdoshëm për të mbjellat, tani është bërë 20 deri në 25 mijë euro. Rritje të çmimit ka pësuar edhe nafta e që fermerëve po u shkakton shpenzime shtesë.
Ai thotë që në këtë kohë ka nevojë për ndihmë institucionale, pasi kjo është koha kur fermerët obligohen të shpenzojnë për të mbrojtur të mbjellat e tyre.
Nga ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural është bërë e ditur se thirrja për aplikim për subvencione do të hapet me datë 26 të këtij muaji konkretisht ditën e martë.