Danilo: U largova nga Juventusi jo për arsye sportive, klubi ka humbur identitetin si familje

“Juventusi ka qenë ndoshta klubi më i rëndësishëm i karrierës sime. Kam ndërtuar një histori të mrekullueshme me tifozët, lojtarët dhe qytetin, ku kam qenë shumë i lumtur për pesë vite e gjysmë”.

Këto janë fjalët e Danilo, gjatë konferencës së tij të prezantimit me Flamengon, klubin për të cilin bënte tifo që fëmijë. Duke u rikthyer tek arsyet e largimit të tij nga Juventusi, braziliani tha: “Në muajt e fundit, me ndryshimet e brendshme dhe programimin e ri, ata ndoshta menduan se nuk isha më i përshtatshëm, por jo për arsye sportive”.

“Kjo gjë më shqetësoi dhe më bëri të vuaj, – vazhdoi ish-kapiteni bardhezi. – Që nga ai moment, kuptova se duhej të kërkoja horizonte të reja, sepse kjo situatë më lëndonte shumë. Ndjeva se duhej të shkoja diku tjetër, ku do të ndihesha më mirë”.

Duke folur për vështirësitë e muajve të fundit, ai nuk pranoi të përmendte emra: “Kam shkruar një letër me zemër, ku thashë shumë nga ato që mendoj për Juven. Do ta mbështes gjithmonë, sepse kam përjetuar momente të pabesueshme dhe magjike atje.

Juventusi ka qenë gjithmonë një familje, ka pasur kujdes për detajet dhe aspektin njerëzor. Kjo qasje është humbur disi në gjashtë muajt e fundit. Besoj se rezultatet dhe ngjarjet e fundit lidhen kryesisht me këtë humbje të identitetit si familje, e vëmendjes ndaj detajeve dhe kujdesit për lojtarët e njerëzit që punojnë aty. Nëse klubi kthehet shpejt në këtë rrugë, do të rikthehen edhe rezultatet”. /Telesport.al/

Read Previous

Në Shqipëri hyn në fuqi vendimi për uljen e çmimit të energjisë

Read Next

Analizë | Si Kina po furnizon Rusinë me materiale kyç për raketa