Debutimi me Ferrarin, Hamilton: Nuk ndjej presion, kam ardhur për trofetë dhe titujt kampion

Edhe pse për Lewis Hamilton nuk është hera e parë që nis një sezon të Formula 1, kjo do të jetë hera e parë për të si një pilot i Ferrari. 7 herë kampioni i botës është gati për debutimin e tij me “kokëkuqen”, në garën e parë sezonale që do të zhvillohet këtë fundjavë në Australi.

Në Melburn, në konferencën për shtyp, ai ishte “ylli më i kërkuar” nga mediat. Piloti veteran u shfaq shumë i sigurt në vetvete, i bindur për vlerën e shtuar që mund t’i sjellë makinës italiane dhe aspak i shqetësuar nga vëmendja e madhe mediatike që do të rrethojë këtë dyshe të pabesueshme.

“Mendoj se me kalimin e viteve presioni që i kam bërë vetes ka qenë gjithmonë 10 herë më i madh se çdo presion që dikush tjetër mund të më bëjë. Unë nuk erdha në këtë ekip për të ndjerë presionin, por për rezultate, për trofe dhe titujt kampionë”, u shpreh Lewis Hamilton.

Më tej, britaniku komentoi: “Unë kam pritshmëri për veten time. Unë e di se çfarë mund të sjell, e di që mund të arrij rezultate. Unë e di se çfarë duhet për ta bërë këtë gjë realitet. Është vetëm një çështje që të ulësh kokën dhe të punosh. Unë hyj në këtë fundjavë me një mendje shumë të hapur”. /Telesport.al/

Read Previous

Gjykata Speciale deklarohet për vizitën e Hashim Thaçit në Kosovë

Read Next

KF “Vëllaznimi” arrin marrëveshje me trajnerin Xhengis Rexhepi