Demonstruesit përplasen me policinë në natën e katërt të protestave kundër arrestimit të Imamogulut

Protestuesit turq janë përplasur të shtunën me forcat e policisë para objektit të Kuvendit Komunal në Stamboll, në natën e katërt të protestës kundër arrestimit të kryetarit të qytetit, Ekrem Imamoglu.

Përplasja ndodhi pasi që Imamoglu, që është rivali kryesor politik i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, u mor në pyetje nga prokurorët në një gjykatë të Stambollit, nën akuzat për korrupsion dhe për lidhje me organizata terroriste.

Turma e protestuesve nisi të mblidhet para objektit të Kuvendit Komunal në orët e mbrëmjes për ta demonstruar mbështetjen për Imamoglu. Një tjetër turmë u mblodh para gjykatës, ku lideri opozitar po mbahet. Prokurorët e morën në pyetje Imamoglun për afro 5 orë.

Kryetari i Stambollit i ka hedhur poshtë akuzat për aferat korruptive dhe për lidhjet e tij me organizatën terroriste kurde, PKK.

Arrestimi i tij në fillim të javës i intensifikoi protestat në disa qytete të Turqisë, me ç’rast në mbrëmjen e së premtes u arrestuan 343 protestues./koha.net/

Read Previous

VOA padit mbikëqyrësin USAGM me qëllim që të rinisë punën pas urdhrit të Trumpit

Read Next

52 aksidente dhe mbi 2 mijë gjoba trafiku vetëm gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë