Ministri i Financave në detyrë Hekuran Murati ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Murati ka thënë të mërkurën se “jemi në territor të pa shkelur”, kur u pyet sa i përket konstituimit të Kuvendit.
Ministri në detyrë i Financave, gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë në detyrë, tha se synimi i Vetëvendosjes para krijimit të qeverisë së re “është ngërçi që ndodhi dje në kuvend”.
“Ju ishit dëshmitar të asaj qe ndodhi ditën e djeshme. Kjo nënkupton refuzim të pranimit të rezultateve të certifikuara. Se si shkohet tutje mbetët të shihet në vazhdim. Dehari ka paralajmëruar qe do i drejtohet presidentes. Jemi në territor të pa shkelur, sepse një gjë e tillë nuk ka ndodhur më herët. Synimi ynë është që të sigurohemi qe vendi ka institucionet e veta”, tha ai.
Po ashtu Murati është pyetur sot se me kënd do ta formojë qeverisë e re, Vetëvendosje.
“Janë procedurat në vijim. Para se të vijmë te votimi i qeverisë është ky ngërçi që ndodhi dje. Nëse mundësohet betimi i deputetëve”, tha Murati.
Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur nuk ka kaluar të martën ku pritej të konstituohet Kuvendi. Kjo edhe u bë shkak edhe i dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, punimet e së cilës u pezulluan. /KosovaPress/Telegrafi/