Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar katër raste të dhunës në familje. Dy raste janë raportuar në Prishtinë, një në Pejë dhe një në Mitrovicën e Veriut.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
“Viktima me dëshirën e saj prapë është kthyer në shtëpi të jetojë me bashkëshortin, i cili pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. Gjithashtu një rast tjetër është shënuar në Prishtinë, ku një grua ka raportuar se është sulmuar nga bashkëshorti, i cili është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është shënuar në Pejë, ku është arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.
“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt?, thuhet në raportin 24-orësh. Në Mitrovicën e Veriut është arrestuar një person nën dyshimin se e ka sulmuar vajzën e tij, së cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh. /RTKlive/