Doktoresha e Mjekësisë Edea Blyta në një prononcim për revistën Mjeku – Oda e mjekëve të Kosovës, bërë të qartë fazat në të cilat do të duhej të kalonte krijimi i një marrëdhënie të shëndetshme të komunikimit virtual mes pacientit dhe mjekut. Të komunikosh do të thotë të vendosësh lidhje me dikë tjetër. Në këtë kontekst, informacioni që i jepet një pacienti virtualisht bart në vetvete edhe reagime të ndryshme, prandaj komunikimi, kërkon pjekuri, aftësi dhe ndjenja humane.
Sipas saj marrëdhëniet e shëndosha mes mjekut dhe pacientit konsiderohen të jenë faktorë kyç për një bashkëpunim të ndërsjelltë. Krahas diagnostifikimit të sëmundjes, rol të veçantë në këtë rrugëtim ka edhe forma e komunikimit me pacientin sepse përmes një komunikimi të shëndoshë krijohet një urëlidhëse e transmetimit të diagnozës dhe ecurisë së trajtimit të sëmundjes.
Shqetësimet, idetë dhe pritjet e pacientit, doktoresha Blyta i vlerëson si shumë të rëndësishme duke shtuar se jo rrallë ato mund të jenë të gjata dhe plot stres, prandaj një gjuhë e mirë e komunikimit e shoqëruar me elegancë dhe shprehje të përshtatshme konform moshës së pacientit do të mundësonte një qasje më të lehtë të pranimit të rezultateve cilat do qofshin ato.
Dokoresha Blyta theksin e bisedës e vë kryesisht në konfidencën e pacientit sepse sipas saj konsultat mjek-pacient duhet të mbeten konfidenciale dhe asnjë informatë pa dijeninë e pacientit nuk guxon të bëhet publike, madje as mes kolegëve mjek.
Ndonëse ndodhemi në kohën e teknologjisë, sot ekzistojnë pafund makina kërkimore në internet të cilat ofrojnë informata nga më të ndryshmet për qasje ndaj pacientëve. Prandaj mjediset virtuale janë pjesë përbërëse e teknologjisë informative por të njejtat duhet të synojnë mbrojtje të interesave të pacientëve, ka shtuar doktoresha Blyta.
Ajo tutje gjatë bisedës ka prezantuar edhe disa të dhëna të publikuara në një raport të komunitetit mjekësor, konkretisht raportin “Profesionalizmi Mjekësor Online”, publikuar nga Kolegji Amerikan i Mjekëve dhe Federata e Bordeve Mjekësore të cilët kanë përshkruar disa rekomandime në të cilat specifikisht renditen raportet mjek-pacient. Në këtë raport citohet se:
a) Mjekët duhet ta mbajnë komunikimin profesional dhe personal të ndarë;
b) Mjekët nuk duhet të përdorin SMS për qëllime mjekësore;
c) Komunikimi elektronik duhet të përdoret vetëm në rrethana të një marrëdhënie të etabluar mjek-pacient dhe me pëlqimin e vet pacientit;
d) Situatat në të cilat pacienti i drejtohet mjekut përmes rrjeteve sociale, duhet të trajtohen specifikisht duke mundësuar inkurajim për një vizitë tjetër shtesë, apo edhe mundësinë e ndonjë shërbimi tjetër urgjent.
Krahas këtij raporti, doktoresha Blyta ka treguar se institucionet shëndetësore duhet të kenë politika mbi përdorimin e mjeteve digjitale. Edukimi në lidhje me përdorimin etik dhe profesional të këtyre mjeteve, doktoresha e konsideron të bazuar në mendim kritik me qëllim të krijimit të një mjedisi të respektueshëm.
Të gjendur në një situatë të tillë doktoresha ka shtuar se teknologjia në zhvillim dhe trendet e kohës natyrshëm kanë ndikuar në peisazhin e mjeteve sociale dhe mediave elektronike gjithsesi. Mënyra sesi web faqet e ndryshme janë përdorur nga pacientët dhe mjekët natyrisht se në raport me trendet e kohës edhe do të ndryshojnë.
Doktoresha Blyta krahas kritereve gjithashtu ka treguar edhe format dhe teknikat më të përshtatshme për të respektuar etikën mjekësore kur është fjala për komunikimin virtual. Ajo i është referuar edhe kodit të etikës mjekësore nga AMA, i cili qartë specifikon kriteret se si duhet të zbatohen parimet e qëndrueshmërisë të etikës mjekësore. Duke ditur se vazhdimisht numri i rrjeteve sociale, blogjet dhe format tjera të komunikimit në internet janë në rritje domosdoshmërisht krijohen edhe sfida shoqëruese në marrëdhëniet mjek-pacient ka shtuar doktoresha Blyta.
Prandaj edhe respektimi i parimeve në komunikimin virtual do të vlente jashtëzakonisht shumë në këto rrethana duke specifikuar edhe disa prej tyre.
a) Mjekët duhet të kenë parasysh respektimin e dinjitetit dhe të drejtave njerëzore, ndershmërinë dhe respektimin e standardeve të profesionalizmit dhe detyrën për të ruajtur konfidencën dhe privatësinë e pacientit;
b) Të gjthë mjektët duhet ti kenë parasysh parimet themelore gjatë prezencës së tyre në internet;
c) Kur përdoren mediat sociale për qëllime edukative ose për të shkëmbyer informacione profesionale me mjekë të tjerë, duhet me patjetër të ndjekin udhëzimet etike në lidhje me privatësinë dhe pëlqimin e informuar;
d) Kur përdoret interneti për rrjetet sociale duhet të përdoren cilësimet e privatësisë për të ruajtur informacionin dhe përmbajtjen personale;
e) Gjatë kohës kur komunikojnë me pacientët mjekët duhet të mbajnë kufijtë e duhur të marrëdhënies mjek-pacient gjithmonë duke respektuar rregullat e etikës profesionale;
f) Në raste kur mjekët lexojnë përmbajtje të postuara nga kolegët e tyre dhe hasin në diçka joprofesionale, ata me çdo kusht duhet të sjellin përmbajtjen në vëmendjen e kolegut për ta përmirësuar atë;
g) Secili postim i mjekëve në internet nëse ka mangësi mund të dëmtojë imazhin e tij profesional dhe të ndikojë negativisht në reputacionin e mjekut ku në të njejtën kohë edhe mund të zvogëlojë besimin e publikut.
Krahas këtyre parimeve, doktoresha ka shtuar se ekzistojnë edhe të tjera standarde dhe rregulla të cilat janë të lidhura me etikën profesionale. Prandaj secili standard etik i profesionit të mjekut duhet të respektohet në mënyrë rigoroze brenda kornizave pavarësisht ndikimeve nga jashtë. E gjithë kjo mund të bëhet atëherë kur mjeku dhe pacienti e krijojnë një urë lidhëee të bashkëpunimit dhe komunikimit të tyre duke zëvendësuar takimin fizik ka shtuar në fund doktoresha e mjekësisë Edea Blyta.