Një aksion i gjerë policor është zhvilluar këtë mëngjes në Kaçanik, i lidhur me vrasjen e rreshterit të policisë, Muhamed Lika.
Për rastin ka folur Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
Pjesë nga fjalimi i tij:
Një operacion që është zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit. Me datë 1 prill është vrarë rreshteri Muhamed Lika. Policia bashkëpunim me Prokurorinë ka zhvilluar hetime intensive, dhe sot është konkretizuar një aksion me qëllim të bastisjes.
Operacioni është zhvilluar me autorizim të Prokurorisë, ku janë bastisur 9 lokacione, shumica në Kaçanik dhe një në fshat të Klinës. Janë arrestuar 7 persona të dyshuar të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në planifikimin dhe vrasjen e rreshterit tonë.
Personat po intervistohen nga hetuesit tonë. Nuk ka pasur incident, nuk ka pasur të lënduar as nga të dyshuarit as nga Policia. Do të zhvillohen intervistat dhe do të vendoset për procedimin e personave.
Janë sekuestruar dy vetura, telefona, lap-topë, armë zyrtare me 30 fishekë, maska, tyta të armëve, kapela sportive, dylbi dhe dëshmi të tjera. Ka marrë pjesë njësitet policore, operacioni është udhëhequr nga drejtoria e hetimit të krimeve të rënda, dhe në asistencë kanë qenë Njësitet Speciale.
Deri më tash motivet për vrasjen besojmë të ketë të bëjë me punën e tij zyrtare.
Kemi arritur të sigurojmë dëshmi të mjaftueshme për të ndjekur penalisht.
Njëri nga ta mund ta konfirmoj sot mbush 18 vjet.
/GazetaSinjali/