E vërteta mbi jetën në planetët e tjerë dhe çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Ka disa zbulime shkencore që bëjnë shumë më tepër sesa të avancojnë njohuritë tona. Ato ndryshojnë dimensionet e psikikës tonë, pasi na tregojnë përmasat e universit dhe vendin tonë brenda tij. Sipas shkencëtarëve, tanimë mundësia për të zbuluar jetë jashtëtokësore nuk është aspak larg mendjes. E kur kjo të ndodhë, siç argumenton profesori Nikku Madhusudhan nga Instituti i Astronomisë në Universitetin e Kembrixhit, “do të ndryshojë në themel psikikën njerëzore në mënyrën se si e shohim veten dhe njëri-tjetrin, si dhe çdo barrierë – gjuhësore, politike, gjeografike – do të shkrihet, ndërsa kuptojmë se jemi të gjithë një. Dhe kjo do të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin. Do të jetë një tjetër hap në evolucionin tonë”.

Një moment i madh ishte kur anijet kozmike dërguan për herë të parë imazhe të Tokës. Një tjetër është zbulimi i jetës në një botë tjetër – një moment që është afruar edhe më shumë me lajmin se shenja të një gazi, i cili në Tokë prodhohet nga organizma të thjeshtë detarë, janë zbuluar në një planet të quajtur K2-18b.

Tani, mundësia reale për të zbuluar jetë jashtëtokësore – që do të thotë se nuk jemi vetëm në univers – nuk është larg, sipas shkencëtarit që drejton ekipin që bëri këtë zbulim.

“Kjo është në thelb aq e madhe sa mund të jetë kur bëhet fjalë për pyetjet themelore, dhe mund të jemi në prag të përgjigjes së kësaj pyetjeje”, ka thënë profesori Nikku Madhusudhan nga Instituti i Astronomisë në Universitetin e Kembrixhit.

Por e gjithë kjo sjell edhe më shumë pyetje, përfshirë edhe atë se nëse vërtet zbulohet jetë në një botë tjetër, si do të na ndryshojë kjo si specie?

Disqe fluturuese dhe jashtëtokësorë të zhanrit sci-fi

Paraardhësit tanë kanë krijuar prej kohësh rrëfime për qenie që mund të jetojnë në qiell. Në fillim të shekullit XX, astronomët mendonin se mund të shihnin vija të drejta në sipërfaqen e Marsit, duke nxitur spekulime se një nga planetët më të afërt me ne mund të ishte shtëpia e një civilizimi të avancuar – ide që krijoi një kulturë të tërë fiksioni shkencor me disqe fluturuese dhe jashtëtokësorë të vegjël jeshilë.

Ishte koha kur qeveritë perëndimore gjeneronin frikë për përhapjen e komunizmit, kështu që vizitorët nga hapësira e jashtme përshkruheshin më shpesh si kërcënime, që sillnin rrezik dhe jo shpresë.

Por dekada më vonë, ajo që është përshkruar si “prova më e fortë deri më tani” për ekzistencën e jetës në një botë tjetër nuk ka ardhur nga Marsi apo Venera, por nga një planet qindra trilionë kilometra larg, që rrotullohet rreth një ylli të largët.

Pjesë e sfidës, kur bëhet fjalë për kërkimin e jetës jashtëtokësore, është të dish se ku të kërkosh.

Deri vonë, fokusi i kërkimeve të NASA-s për jetë ishte Marsi, por kjo filloi të ndryshojë në vitin 1992 me zbulimin e planetit të parë që orbitonte një yll tjetër jashtë sistemit tonë diellor.

Edhe pse astronomët kishin dyshuar prej kohësh se mund të kishte botë të tjera rreth yjeve të largëta, deri në atë moment nuk kishte asnjë provë. Që atëherë, janë zbuluar gati 6,000 planetë jashtë sistemit tonë diellor.

Shumë prej tyre janë të ashtuquajtur “gjigantë” të gaztë, si Jupiteri dhe Saturni në sistemin tonë diellor. Të tjerët janë ose shumë të nxehtë, ose shumë të ftohtë për të mbështetur ujin në gjendje të lëngët – që mendohet të jetë thelbësor për jetën.

Por shumë prej tyre ndodhen në atë që astronomët e quajnë “Zona Goldilocks”, ku distanca nga ylli është “në vendin e duhur” për të mbështetur jetën. Profesori Madhusudhan beson se mund të ketë mijëra të tillë në galaktikën tonë.

Teknologji marramendëse dhe ambicioze

Derisa po zbuloheshin këta të ashtuquajtur “ekzoplanetë”, shkencëtarët filluan të zhvillojnë instrumente për të analizuar përbërjen kimike të atmosferave të tyre. Ambicia e tyre ishte marramendëse, disa madje do ta quanin guxim i tepruar.

Ideja ishte të kapnin sasinë e vogël të dritës së yllit që kalon nëpër atmosferat e këtyre botëve të largëta dhe ta studionin për gjurmë kimike të molekulave që, në Tokë, prodhohen vetëm nga organizma të gjallë – të ashtuquajturat “biosinjatura”.

Dhe ata patën sukses në zhvillimin e këtyre instrumenteve për teleskopë në tokë dhe në hapësirë.
Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s (JWST), i cili zbuloi gazin në planetin e quajtur K2-18b, është teleskopi hapësinor më i fuqishëm që është ndërtuar ndonjëherë. Nisja e tij në vitin 2021 gjeneroi një entuziazëm të jashtëzakonshëm se kërkimi për jetën më në fund mund të ishte brenda mundësive të njerëzimit.

Por JWST-ja ka kufizimet e veta – nuk mund të zbulojë planetë të largët që janë aq të vegjël sa Toka jonë ose aq pranë yjeve të tyre amë, për shkak të ndriçimit të fortë që vjen nga vetë ylli. Për këtë arsye, NASA po planifikon Observatorin e Botëve të Banueshme (HWO), i cili është parashikuar të lëshohet në vitet 2030 dhe do të jetë në gjendje të dallojë dhe analizojë atmosferat e planetëve të ngjashëm me Tokën (kjo është e mundur falë një mburoje diellore të teknologjisë së lartë që minimizon dritën e yllit rreth të cilit rrotullohet planeti).

Gjithashtu, në fund të kësaj dekade pritet të vihet në funksion edhe Teleskopi Jashtëzakonisht i Madh (ELT) i Observatorit Evropian Jugor (ESO), që do të vendoset në Tokë, nën qiellin e kristaltë të shkretëtirës kiliane.

Ky teleskop do të ketë pasqyrën më të madhe që është ndërtuar ndonjëherë – me diametër 39 metra – dhe do të jetë në gjendje të shohë shumë më tepër detaje në atmosferat planetare sesa paraardhësit e tij.

Më shumë zbulime, më shumë pyetje

Profesori Madhusudhan shpreson të ketë mjaftueshëm të dhëna brenda dy vjetëve për të demonstruar në mënyrë të qartë se ai vërtet ka zbuluar gjurmë biologjike përreth planetit K2-18b. Por edhe nëse ai e arrin këtë qëllim, kjo nuk do të çojë menjëherë në festime masive për zbulimin e jetës në një botë tjetër.

Përkundrazi, do të jetë fillimi i një debati të fortë shkencor mbi atë nëse gjurmët biologjike mund të jenë prodhuar edhe nga procese jete që nuk përfshijnë organizma të gjallë.

Megjithatë, me kalimin e kohës, përderisa mblidhen më shumë të dhëna nga më shumë atmosfera dhe teksa kimistët nuk arrijnë të gjejnë shpjegime alternative për gjurmët biologjike, konsensusi shkencor do të fillojë gradualisht të zhvendoset drejt probabilitetit që jeta vërtet ekziston në botë të tjera, thotë profesoresha Catherine Heymans nga Universiteti i Edinburgut.

“Me më shumë kohë në dispozicion në teleskop, astronomët do të kenë një pamje më të qartë të përbërjeve kimike të këtyre atmosferave. Nuk do të dish me siguri se është jetë. Por mendoj se sa më shumë të dhëna të mblidhen, dhe nëse i shohim këto shenja në disa sisteme të ndryshme, jo vetëm në këtë planet të veçantë, atëherë kjo na jep më shumë besim”, ka thënë ajo.

Rrjeti Botëror i Internetit (WWW) u shfaq përmes një serie përparimesh teknologjike graduale, që nuk dukeshin domosdoshmërisht si momente me rëndësi të madhe në atë kohë.

Në mënyrë të ngjashme, mund të vijë momenti kur njerëzit do të kuptojnë se ndoshta ka ndodhur transformimi më i madh shkencor, kulturor dhe shoqëror në gjithë historinë njerëzore – porse çasti kur u kapërcye pragu dhe u zhvendos balanca drejt pranimit të jetës jashtëtokësore nuk u kuptua plotësisht në kohën kur ndodhi.

Një zbulim shumë më përfundimtar do të ishte zbulimi i jetës brenda vetë sistemit tonë diellor, duke përdorur anije kozmike robotike të pajisura me laboratorë. Çdo mikrob jashtëtokësor mund të analizohej, madje edhe të silleshin mostra në Tokë, duke ofruar prova të drejtpërdrejta që do të kufizonin ndjeshëm çdo kundërshtim shkencor që mund të pasojë.

Rasti shkencor për mundësinë e jetës – apo të jetës së mëparshme – në sistemin tonë diellor është forcuar vitet e fundit, falë të dhënave të dërguara nga misione të ndryshme hapësinore. Si rrjedhojë, disa misione që synojnë të kërkojnë shenja të saj janë tashmë në zhvillim.

Roboti eksplorues “ExoMars” i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), i planifikuar për t’u nisur në vitin 2028, do të shpojë nën sipërfaqen e Marsit për të kërkuar shenja të jetës së kaluar, dhe ndoshta edhe të jetës aktuale. Megjithatë, për shkak të kushteve ekstreme në Mars, zbulimi i mbetjeve të fosilizuara nga një jetë e dikurshme është rezultati më i mundshëm.

Misioni “Tianwen-3” i Kinës, gjithashtu i planifikuar për nisje në vitin 2028, është planifikuar të mbledhë mostra dhe t’i sjellë ato në Tokë deri në vitin 2031. Ndërkohë, NASA dhe ESA kanë secila anije kozmike që po shkojnë drejt hënave të akullta të Jupiterit për të parë nëse ekziston ujë – ndoshta oqeane të tëra – nën sipërfaqet e tyre të ngrira.

Por anijet hapësinore nuk janë të projektuara për ta gjetur jetën në vetvete. Përkundrazi, këto misione vendosin themelet për misionet e ardhshme që do ta bëjnë këtë, sipas profesoreshës Michele Dougherty nga Kolegji Imperial në Londër.

“Është një proces i gjatë dhe i ngadaltë. Vendimi tjetër që duhet marrë është për një sondë që do të ulet – në cilën hënë do të shkojë dhe ku saktësisht duhet të ulet”, ka thënë Dougherty.

“Nuk do të dëshiroje të zbresësh atje ku shtresa e akullit është aq e trashë sa nuk ka asnjë mënyrë për të depërtuar nën sipërfaqe. Prandaj është një proces i ngadaltë dhe i gjatë – por rruga është mjaft emocionuese”, ka shtuar ajo.

NASA gjithashtu po dërgon një anije hapësinore të quajtur “Dragonfly” që do të ulet në njërën nga hënat e Saturnit, në Titan, në vitin 2034. Është një botë ekzotike për të cilën besohet se ka liqene dhe re të përbëra nga kimikate të pasura me karbon, që i japin planetit një mjegull të çuditshme ngjyrë portokalli – duke sjellë në mendje këngën e grupit Beatles “Lucy in the Sky with Diamonds”.

Së bashku me ujin, besohet se këto kimikate janë përbërës esencialë për jetën.

Profesoresha Dougherty është njëra nga shkencëtaret planetare më të njohura në fushën e saj. BBC-ja e pyeti atë se a mendon se ka jetë në ndonjërën nga hënat e akullta të Jupiterit ose Saturnit?

“Do të habitesha shumë nëse nuk do të kishte”, u përgjigj ajo, duke buzëqeshur plot gëzim.
Sipas saj, nevojiten tri gjëra: një burim nxehtësie, ujë i lëngshëm dhe kimikate organike (të bazuara në karbon). 

“Nëse i kemi këta tre përbërës, gjasat që jeta të formohet rriten ndjeshëm”.

Tkurrja e “veçantisë” njerëzore

Nëse zbulohen forma të thjeshta jete, kjo nuk është garanci që ekzistojnë forma më të ndërlikuara.
Profesori Madhusudhan beson se, nëse konfirmohet, jeta e thjeshtë duhet të jetë “mjaft e zakonshme” në galaktikë. 

“Por kalimi nga ajo jetë e thjeshtë në jetë komplekse është një hap i madh, dhe kjo mbetet një çështje e hapur. Si ndodh ai hap? Cilat janë kushtet që e mundësojnë? Ne nuk e dimë. Dhe më pas, kalimi nga jeta komplekse në jetë inteligjente është edhe një hap tjetër i madh”, ka vazhduar ai.

Robert Massey, i cili është zëvendësdrejtor ekzekutiv i Shoqatës Mbretërore Astronomike, është i pajtimit se shfaqja e jetës inteligjente në një botë tjetër është shumë më pak e mundshme sesa jeta e thjeshtë.

“Kur shohim shfaqjen e jetës në Tokë, ajo ishte aq komplekse. U desh një kohë shumë e gjatë që jeta shumëqelizore të shfaqej dhe më pas të evoluonte në forma të ndryshme të jetës”, ka thënë Massey.
“Pyetja e madhe është nëse kishte diçka unike te Toka që e bëri të mundur atë evolucion. A kemi nevojë për të njëjtat kushte saktësisht – përmasat tona, oqeanet dhe masat tokësore – që kjo të ndodhë në botë të tjera, apo do të ndodhë gjithsesi?” – ka shtuar ai.

Massey beson se zbulimi qoftë edhe i një jete të thjeshtë jashtëtokësore do të përbënte kapitullin më të fundit në zvogëlimin e vendit të njerëzimit në kozmos.

Siç ka thënë ai, shekuj më parë besonim se ishim në qendër të Universit, dhe me çdo zbulim të ri në astronomi, kemi kuptuar se jemi gjithnjë e më shumë të “zhvendosur” nga ajo pikë.

“Mendoj se zbulimi i jetës diku tjetër do të zvogëlonte edhe më tej ‘veçantinë’ tonë”,  ka bërë të ditur Massey.

Dougherty, nga ana tjetër, beson se një zbulim i tillë brenda vetë sistemit tonë diellor do të ishte i mirë për shkencën – dhe i mirë për shpirtin.

“Zbulimi qoftë edhe i një jete të thjeshtë do të na ndihmonte të kuptonim më mirë se si mund të kemi evoluuar, shumë e shumë miliona vjet më parë, kur evoluuam për herë të parë. Për mua, kjo na ndihmon të gjejmë vendin tonë në univers”, ka thënë ajo.

“Nëse dimë që ka jetë – diku tjetër në sistemin tonë diellor, dhe potencialisht përtej – kjo do të më jepte njëfarë ngushëllimi, duke ditur se jemi pjesë e një strukture më të madhe… kjo do të na bënte edhe më të mëdhenj”, ka shtuar Dougherty.

Asnjëherë më parë shkencëtarët nuk kanë kërkuar me kaq përkushtim për jetë në botë të tjera, dhe asnjëherë më parë nuk kanë pasur mjete kaq të jashtëzakonshme për ta bërë këtë. 

Dhe shumë prej atyre, që punojnë në këtë fushë, besojnë se nuk është çështje nëse por kur do të zbulojnë jetë në botë të tjera. Ndërkaq, sipas profesorit Madhusudhan, në vend që të sjellë frikë, zbulimi i jetës jashtëtokësore do të sjellë shpresë.

“Kur ta shikojmë qiellin, nuk do të shohim më thjesht objekte fizike – yje dhe planetë – por do të shohim një qiell të gjallë. Pasojat shoqërore të kësaj janë të jashtëzakonshme. Do të jetë një ndryshim i madh transformues në mënyrën se si e shohim veten në skenën kozmike”, ka thënë Madhusudhan.
“Kjo do ta ndryshojë në themel psikikën njerëzore në mënyrën se si e shohim veten dhe njëri-tjetrin, dhe çdo barrierë – gjuhësore, politike, gjeografike – do të shkrihet, ndërsa kuptojmë se jemi të gjithë një. Dhe kjo do të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin. Do të jetë një tjetër hap në evolucionin tonë”, ka konkluduar ai./koha.net/

Read Previous

Shpaloset murali “7 të rënët”

Read Next

Në “Anfield” festohet me këngën e Dua Lipës