Edi Rama: Me mbështetjen e aleatëve, Kosova shënoi arritje të paimagjinueshme

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama në këtë letër ka theksuar se përtej sfidave të shumta që ka pasur Kosova, me mbështetjen e pakursyer të aleatëve ka shënuar arritje tejet të lartë.

“Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës”.

“Një histori progresi të gjithanshëm demokratik dhe prosperiteti”, thuhet në letrën që u është dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit.

Ndër të tjera, Rama ka shprehur mirënjohje ndaj themeluesve të Republikës.

“Përulemi sot përpara themeluesve të Republikës, duke shprehur pafundësisht mirënjohjen tonë. Një rrugëtim sfidues dhe i suksesshëm deri më 17 shkurt të vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe një rrugëtim po kaq sfidues e i suksesshëm, deri më sot, për forcimin e saj”.

Teksa ka shtuar se janë të gatshëm që të rrisin bashkëpunimin mes Kosovës-Shqipërisë në të ardhmen.

“Edhe një herë, duke riafirmuar gjithë vullnetin tonë për bashkëpunim të gjithanshëm, unë, Ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia Juaj, dhe nëpërmjet Jush, gëzuar të gjithë motrave e vëllezërve të Kosovës!”.

Letra, e shkruar nga Rama, është pranuar në Qeverinë e Kosovës më 13 shkurt, por është bërë publike të mërkurën, më 19 shkurt. /Albanianpost.com

Read Previous

Glauk Konjufca i dyti më i votuari nga Lëvizja Vetëvendosje

Read Next

Trump dhe Putin mund të takohen këtë muaj