Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, është shprehur kundër njohjes së Palestinës si shtet.
Qeveria e Kosovës, sipas Tahirit, duhet të ketë qëndrim se e mbështet një zgjidhje që del nga një marrëveshje paqësore në mes të Izraelit dhe Palestinës.
“Kosova është njohur nga Izraeli dhe nuk është njohur nga Palestina, prandaj Kosova duhet të mbroj interesin kombëtar dhe te di ta vlerësoj se Izraeli është një superfuqi botërore dhe njohja nga Izraeli i ka dhënë peshë specifike shtetit tonë, Kosovës”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.
Pas Spanjës, Irlandës e Norvegjisë edhe Sllovenia – anëtare e Bashkimit Evropian – e ka njohur Palestinën si shtet.
Të martën Parlamenti i Sllovenisë ka votuar në përkrahje të këtij vendimi.
Nga 90 deputetë 52 kanë votuar për ndërsa asnjë ligjvënës nuk ka votuar kundër.
Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka thënë se i ka rritur përpjekjet për të njohur shtetin palestinez, pas intensifikimit të ofensivës së Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Ndryshe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kërkuar që Kosova t’i bashkohet Spanjës, Norvegjisë e Irlandës, duke e njohur si shtet Palestinën.
Njohja si shtet i Palestinës, sipas Molliqajt, duhet të ndodh mbi premisat e lirisë dhe vetëvendosjes për Palestinën.
“PSD kërkon nga Qeveria e Kosovës njohjen e Palestinës shtet, si kërkesë për paqe, liri dhe vetëvendosje. Sepse nervi human midis njerëzve do të jetë gjithmonë liria!”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook. /Albanianpost.com