Eksperti i mjekësisë forenzike, William Goodwin, ka nisur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), të Gjykatës Speciale në Hagë.
Goodwin po pyetet lidhur me gjasat e lidhjes gjenetike mes viktimave në aktakuzë dhe atyre që pretendohet se janë familjarët e tyre.
Ai është duke dhënë dëshmi mbi ekspertizën e tij edhe në gjykimin e Pjetër Shalës.
Prokurori James Pace ka paraqitur një raport të ADN-së për një person të cilit refuzoi të ia tha emrin.
“Në raportin tuaj thuhet se profili i ADN-së është i kriptuar, gjë që kufizon mundësinë për një rishikim të plotë. Megjithatë, bazuar në pjesëtarët e familjes që janë të disponueshëm dhe leukocitet që përputhen, gjasat e përputhjes dhe probabiliteti i identitetit duken të arsyeshme. Shohim nënë, baba, bashkëshorte, vajzë dhe djalë. A mund të na thoni nëse informacionet shtesë që po shihni tani – nëna, babai, bashkëshortja, vajza dhe djali – kanë ndonjë ndikim në vlerësimin tuaj në raportin tuaj?”, pyeti prokurori.
Mbrojtja e Kadri Veselit, avokatja Ann Rowan, ndërhyri në pyetje duke thënë se sa i takon konfidencialitetit, të gjithë personat që kanë të bëjnë dhe janë të lidhur me mostrat e ADN-së janë publik në aktakuzë.
“Në rrethana të tilla, kemi vazhduar me supozimin se këto raporte të ADN-së do të emërohen dhe se referencat e kampioneve do të përmenden. Pra, këto janë viktima publike në këtë rast, dhe nuk është e qartë nëse ndonjë nga raportet që lidhen me viktimat publike në këto rrethana do të jetë konfidencial apo jo”, tha Rowan.
Në fillim të dhjetorit Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ngriti aktakuzë të re kundër Thaçit dhe të tjerëve dhe i akuzon ata për “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Sipas akuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill të 2023 deri më 2 nëntor të 2024-së gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidencial për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.
“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.
Pos Thaçit, aktakuzë është ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës Thaçi dhe të tjerët.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, deri tani në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), janë dëgjuar mbi 100 dëshmitarë.
Katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë. /Albanianpost.com
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.