Miliarderi amerikan, Elon Musk ka theksuar rëndësinë e sistemit të tij satelitor “Starlink” për trupat ukrainase që luftojnë Rusinë.
“Sistemi “Starlink” është shtylla kurrizore e ushtrisë ukrainase. E gjithë linja e tyre e frontit do të shembet nëse ai fiket”, shkroi Musk, këshilltari i ngushtë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në X .
Musk shkroi se ishte i lodhur nga vitet e “vrasjeve masive” duke shtuar se Ukraina do të humbiste gjithsesi në fund. Prandaj ishte e nevojshme të bëhej paqja menjëherë.
Musk më vonë postoi për të sqaruar se “Starlink” nuk do t’i fikte kurrë terminalet e tij.
“Për të qenë jashtëzakonisht i qartë, pavarësisht se nuk jam dakord me politikën e Ukrainës, “Starlink” nuk do t’i fikë kurrë terminalet e tij”, shkroi ai.
“Unë thjesht po deklaroj se, pa “Starlink”, linjat ukrainase do të shembeshin, pasi rusët mund të bllokojnë të gjitha komunikimet e tjera! Ne kurrë nuk do ta bënim një gjë të tillë ose ta përdornim si mjet pazari”, tha Musk.
Qeveria amerikane nën drejtimin e Trump ka bërë një kthesë radikale në politikën e saj ndaj Ukrainës, së fundmi – duke i dhënë fund mbështetjes për Kievin krejtësisht – të paktën për momentin.
Shtëpia e Bardhë tha se arsyeja për këtë ishte për të detyruar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të pranuar negociatat e paqes.
Trump fajësoi më herët Zelensky për luftën e urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe e akuzoi atë se nuk dëshironte t’i jepte fund konfliktit.
Trump dhe zyrtarët e tij të qeverisë kanë miratuar gjithashtu kohët e fundit një qëndrim jashtëzakonisht të ashpër ndaj vendeve të tjera evropiane, duke shpërfillur vazhdimisht partnerët e tyre evropianë. /ATSH-DPA/