Faton ​Peci: Propozimi mbetet i njëjtë, opozita sa më shpejt të bindet

Kryetari i partisë “Guxo”, Faton Peci deklaroi se Albulena Haxhiu sërish do të propozohet sot për kryeparlamentare.

Sipas tij, opozita duhet “të reflektojë dhe të bindet”, siç tha ai, që e drejta për propozim i takon partisë fituese.

Deputeti Faton Peci, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje tha para mediave se çfarë do të ndodhë sot është në dorën e deputetëve.

“Ditë e re, nafakë e re. Dhe çfarë do të ndodhë është në dorën e deputetëve. Unë thash edhe herën e kaluar që qytetari i Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar që kryetari i kuvendit i takon partisë apo koalicionit fitues dhe është i vetmi që ka të drejtën e nominimit dhe propozimit. Edhe është e padrejtë që partitë tjera që nuk e kanë fituar këtë të drejtë ta kërkojnë të drejtën e tyre brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj. Kurdo që ata që vlerësojnë që një kërkesë e tillë që brenda llojit me përzgjedh emra vendosin për një gjë të tillë, i kontribuojnë Kosovës dhe themelimin e institucioneve të reja”, deklaroi Peci.

Para fillimit të seancës, përpjekjes së tetë për konstituim të plotë të legjislaturës së nëntë, Peci u shpreh se propozimi mbetet i njëjtë.

Sa i përket bisedimeve me partitë tjera, ai tha se pjesë e tyre janë edhe komunikimet publike përmes mediave.

“Propozimi mbetet i njëjtë dhe unë nuk besoj që është në interes të Kosovës që të vazhdojmë të zvarritim konstituimin e institucioneve të Kosovës. Sa më shpejt që opozita bindet se është e drejtë ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket kandidatit për kryetar të kuvendit, ne do të kemi zhbllokim të situatës dhe themelim të institucioneve. Bisedimet nuk përfundojnë asnjëherë, bisedimet mund të jenë edhe mes takimeve të ndryshme, por njëkohësisht pjesë e diskutimeve është ky komunikim që ne po e bëjmë përmes jush, përmes mediave. Me rëndësi që mesazhet me u përçua edhe besoj që opozita e ka mundësinë sot prapë që ta fillojë mirë javën duke reflektuar”, shtoi Peci.

Albulena Haxhiu ka dështuar pesë herë të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare.

PDK dhe AAK kanë kërkuar nga LVV-ja që të ndryshojë emrin, ndërkaq kjo parti këmbëngul në këtë propozim.

LDK është deklaruar kundër çdo propozimi të LVV-së. /KosovaPress

Read Previous

Prezantohen 8 shërbime të reja digjitale në e-Kosova

Read Next

Policia shqiptoi 2144 gjoba trafiku për 24 orë