Gazeta me bazë në Torino, “Tuttosport”, pretendon se Juventus-i është i interesuar për Fikayo Tomori-n e Milan-it, por është e paqartë nëse kuqezinjtë do t’i japin një rivali të drejtpërdrejtë një lojtar tjetër pas Pierre Kalulu.
Juventus-i po kërkon përforcime mbrojtëse për janarin dhe sipas “Tuttosport”, emri i fundit në agjendën e bardhezinjve është mbrojtësi i Milan-it, Tomori.
Anglezi nuk ka qenë një titullar i rregullt që kur zemëroi trajnerin Paulo Fonseca gjatë humbjes 2-1 kundër Fiorentina-s në tetor.
Tomori ia dha topin bashkëatdhetarit të tij Tammy Abraham në vend të Christian Pulisic-it, por sulmuesi anglez humbi penalltinë e dytë të kuqezinjve gjatë natës, duke e mërzitur trajnerin.
Tomori i kaloi gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit në Serie A në stol dhe thuhet se po kërkon një largim në janar nga Milan-i.
Juventus-i thuhet se është i interesuar për një marrëveshje huazimi për Tomori-n por është e paqartë nëse Milan-i do t’i jepte një tjetër lojtar kundërshtarit të drejtpërdrejtë pas Kalulu-t.
Francezi e ndërroi Milan-in me Juventus-in verën e kaluar, duke u bërë shpejt një titullar i rregullt nën drejtimin e Thiago Motta-s.
Sipas “Tuttosport”, David Hancko (Feyenoord) është objektivi kryesor i Juventus-it për verën, ndërsa Johan Vasquez (Genoa) dhe Adrian Ismajli (Empoli) janë ndër objektivat e janarit. /Albanianpost.com