Pas koncertit madhështor në zemër të Prishtinës, në fillimkorrik, Filharmonia e Kosovës ka nisur përgatitjet për hapjen e një faqeje të radhës të rrugëtimit nëpër vargjet e meloditë e perlave klasike. Kori veçse ka nisur provat për repertorin me të cilin i bashkohet Orkestrës Shtetërore të Selanikut dhe Korit të Përzier nga ky qytet më 27 shtator në të njëjtën ditë, të cilën Orkestra i rikthehet publikut në Prishtinë. Magjinë muzikore institucioni shtetëror i muzikës klasike e sjell nën moton “Çdo notë, një rrëfim”.
Me pjesë nga kryevepra të repertorit klasik, Kori për të tretën herë do të interpretojë me formacionet nga qyteti grek. Në prill të vitit të kaluar në Selanik e më pas në tetor në Prishtinë, ansambli profesionist në vend e kishte vulosur nivelin edhe në vendin i cili nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet, por mban marrëdhënie diplomatike, veçmas ato në fushën e kulturës.
Në sallën koncertale të Fakultetit të Arteve në Prishtinë, anëtarët e Korit po perfeksionojnë mozaikun e programit që do të luhet në sallën e koncerteve “Megaron” të Selanikut, që ka kapacitet prej një mijë e 600 ulësesh. Aty në prill të vitit të kaluar ishte ngjitur ansambli koral i Filharmonisë së Kosovës.
Aktualisht provat janë duke u zhvilluar në grupe. Të mërkurën paradite grupi i grave ka marrë direktivat e dirigjentit Hajrullah Syla derisa ka përcjellë me tinguj të lehtë në piano sa për t’i dhënë kah melodisë.
Aty shihet se mozaiku i secilës pjesë ndërtohet varg pas vargu. Ai është imazhi i secilit prezantim për publikun dhe ai që e bën veprën më delikate të duket lehtësisht e sjellë.
Sipas programit të publikuar, koncerti do të nisë me uverturën e veprës ““The Creatures of Prometheus” nga Beethoven. E më pas sillet një pjesë e veprës “The Creation” nga austriaku Joseph Haydn, që janë pjesa qendrore e programit të koncertit. Ky mozaik ndërtohet me “The heavens are telling”, “Now the heaven is fullest glory”, “Awake the Harp” dhe “With verdure clad the fields appear delightful”.
Hajrullah Syla, që po e drejton Korin e Filharmonisë në prova, ka thënë se kjo vepër nuk ka qenë më parë në repertor të tij. E ka konsideruar të bukur dhe të rëndësishme për repertorin e muzikës klasike.
“Provat janë duke shkuar shumë mirë. Ne kemi filluar përgatitjet për hapjen e sezonit të ri dhe për koncertin që do ta kemi në Selanik me Korin miks të Selanikut dhe Orkestrën Shtetërore ku do të bashkëngjitemi me këtë koncert për herë të dytë me Korin e Filharmonisë, por në këtë rast do të interpretojmë veprën ‘The Creation’ nga Haydn, një oratorium tejet i rëndësishëm dhe i bukur për ta realizuar”, ka thënë dirigjenti Syla.
“The Creation” përfshin solistë, kor dhe orkestër. Joseph Haydn e ka shkruar atë midis viteve 1797 dhe 1798 dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e tij dhe jo vetëm. Për temë ka krijimin e botës dhe bazohet në liturgji.
Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti grek, Kornilios Michailidis, ndërsa si solistë do të interpretojnë sopranoja Siranous Tsalikian, mexosopranoja Electra Manousi, tenori Mihail Mihaylov dhe basi Tassos Apostolou, që të gjithë nga Greqia. Ata përfaqësojnë engjëjt në vepër.
Megjithatë nga provat ngjan harmonike. Procesi në përgjithësi është tregues për punën e madhe në prapaskenë. Aty shihet sa i ngushtë është bashkëpunimi, por edhe miqësia e anëtarëve të kahershëm të Korit, shumë prej tyre qëkur ka nisur të marrë formë Filharmonia i kanë dhënë zë repertorit të institucionit.
Sopranoja Selvije Marteti e ka konsideruar përvojë të mrekullueshme bashkëpunimin me Korin e Përzier të Selanikut.
“Na ka pëlqyer shumë si kor, si vokal, dirigjentja Mary që ka një përvojë shumëvjeçare shpeshherë është prononcuar se do të na ftojë sa herë ka momente dhe koncerte të tilla. Këtë radhë do të këndojmë veprën e Haydn, disa copëza të kompozitorit të kohës së barokut”, ka thënë ajo.
Sopranoja Elikona Hysaj-Shala e ka konsideruar rritje profesionale paraqitjen e përbashkët në skenë me institucion muzikor grek për të cilin ka thënë se është tejet i përgatitur.
“Është dalja e tretë skenike me korin e Selanikut. Fillimisht kemi qenë ne në Selanik, pastaj ata në Prishtinë dhe është përvojë shumë e mirë të rikthehemi bashkë në skenë me një kor që është jashtëzakonisht i përgatitur. Është përvojë shumë e mirë pasi kur është një kor i përgatitur në nivel të lartë në të dy skajet, atëherë sigurisht se suksesi është i pamohueshëm”, ka thënë ajo.
Ka thënë se janë rikthyer në sezonin e ri me ide të forta për koncertet e radhës dhe se vepra që do ta interpretojnë në Greqi është shumë e mirëpritur për ta.
“Jemi rikthyer me një ide të fortë për koncerte të shumta që do të realizojmë gjatë vitit, por që tash po merremi me intensitet më të lartë, po i japim fokus veprës madhore të kompozitorit Joseph Haydn. Është vepër vokalo-instrumentale shumë e bukur, shumë atraktive dhe ambicioze e cila jo çdoherë këndohet pa qenë një kor i fuqishëm, pa qenë në numër të madh dhe pa një orkestër të përgatitur. Mund ta them me plot gojë që është një vepër shumë e mirëpritur dhe e realizueshme për Korin e Filharmonisë së Kosovës”, ka thënë më tej sopranoja Hysaj-Shala.
Programin e Korit për këtë vit e ka zbuluar dirigjenti Hajrullah Syla. Ai ka thënë se e pret sezon i ngjeshur qysh në fillim.
“Më datë 5 shtator do të jemi në Vlorë me Korin ku do të paraqitemi me një koncert nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi, më pas do të udhëtojmë në Selanik dhe pjesa qendrore do të jetë në Prishtinë, ku do të kemi koncertin e ardhshëm më 15 tetor. Pastaj më 22 tetor do të jemi në Shkup. Filharmonia do të ketë edhe disa koncerte nëpër qytete të ndryshme. Në nëntor do të kemi një koncert vokalo-instrumental me Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë. Në dhjetor Kori udhëton në Slloveni për një tjetër koncert a-capella që do të dirigjohet nga dirigjenti Baki Jashari”, ka thënë ai.
Pos dy veprave vokalo-instrumentale, në programin e koncertit në Selanik do të luhen edhe “Quartet for 3 violins and cello In F major” nga Benjamin Franklin, “Symphony Np.17 in C major”, si dhe “Symphony Np.14 in D major” nga William Herschel.
Derisa Kori prezantohet në Selanik më 27 shtator, në të njëjtën ditë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mban koncert në Prishtinë. E sjell “Simfoninë nr.1” të austriakut Gustav Mahler nën udhëheqjen e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.
“Çdo notë, një rrëfim” është motoja e këtij sezoni të Filharmonisë së Kosovës. Ky në radhë është veç një tjetër eksplorim nëpër magjinë e repertorit të muzikës klasike. /Koha.net/