Fitorja ndaj Wolfsburg, Xhaka: Nuk më intereson të fitoj kështu

Granit Xhaka fiton, por është i tërbuar, deri në atë pikë sa të shfaqet para mikrofonave duke shfryrë ndaj shokëve të skuadrës. Ai shpjegon se “nuk është i interesuar vetëm për fitoren,” por më tepër për mënyrën se si ekipi kampion gjerman paraqitet në fushë. Bayer Leverkusen mundi Wolfsburgun në shtëpi vetëm në minutën e 93-të. Edhe sezonin e kaluar, golat në kohën shtesë u bënë zakon, duke vënë në sprovë zemrat e tifozëve. Fitorja 3-2 e mban Leverkusenin në ndjekje të Bayern Munich, i cili ka pikë të plota pas katër ndeshjeve të para të Bundesligës, me +3 pikë ndaj Xhakës dhe shokëve të tij. Kampionët në fuqi kanë regjistruar tri fitore dhe një humbje (në shtëpi ndaj Leipzig).

Asgjë nuk mund ta qetësojë zemërimin e mesfushorit 31-vjeçar, i cili pas fishkëllimës së fundit u bëri thirrje shokëve të skuadrës që të “jenë të sinqertë me njëri-tjetrin,” duke u referuar nivelit të tyre aktual: “Duhet të jemi mjaftueshëm vetëkritikë, nuk është e mundur që të pësojmë tre gola në çdo ndeshje.”

Bayer Leverkusen ka pësuar 9 gola në katër ndeshjet e para të Bundesligës, që e rendit atë me mbrojtjen e katërt më të keqe në kampionat. “Kjo ka të bëjë me të gjithë ekipin,” vazhdoi Xhaka me tërbim. “Duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në mbrojtje, sepse po pësojmë shumë. Me topin, jemi aq të mirë sa më parë. Sigurisht, kemi cilësinë për të shënuar 10 gola në ndeshje, por kjo nuk më intereson. Dua të di nga shokët e skuadrës pse nuk po luajmë më bashkë.” /Telesport.al/

Read Previous

Shqiptarët e Luginës marshojnë për “identitet dhe dinjitet” dhe kundër diskriminimit

Read Next

Kremlini thotë se do ta studiojë “planin e fitores” së Zelenskyt nëse detajet publikohen zyrtarisht