Boksieri shqiptar Florian Marku fitoi titullin e parë në karrierën e tij, duke u shpallur kampion bote në kategorinë welterweight (peshë e ndërmjetme në boks midis peshave të lehta dhe të mesme) në federatën IBF të boksit.
Në ndeshjen e mbajtur në stadiumin Tottenham Hotspur në Londër, ai mundi ukrainasin Maksim Prodan pas zhvillimit të 10 raundeve.Kjo ishte humbja e parë në karrierën e ukrainasit, me të cilin Marku pati edhe një përplasje para ndeshjes.
Marku u shpall kampion si rezultat i vendimit të gjyqtarëve, ku dy votuan në favor të tij: 99-91 Prodan, 97-93 Marku, 96-94 Marku.
“Faleminderit Zotit për çdo gjë. Ky është fillimi. Faleminderit nga zemra për të gjithë përkrahjen tuaj. Veç Zoti e di sa shumë kam punuar për një ditë si kjo. Ky është veç fillimi,” shkroi boksieri në Instagram, i cili në karrierën tij, në 10 përballje ka shënuar 9 fitore dhe një barazim.
Florian Marku bëri debutimin e parë profesional në dhjetor të vitit 2018 në Gjermani kundër Nikola Janicievic. Që prej asaj periudhe, Marku ia ka dalë të shënojë vetëm fitore.
Shpallja kampion bote u përshëndet nga krerët e shtetit. “Një sukses i jashtëzakonshëm për boksin tonë profesionist, Florian Marku shpallet kampion bote në IBFI! Urimet më të ngrohta dhe gjithmonë paraqitje të shkëlqyera në ring! Krenohemi me Florianin!” shkroi presidenti Ilir Meta.
Kryeministri Rama postoi një foto me mbishkrim “respekt kampion”, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shkroi: “Triumf i jashtëzakonshëm i Florian Markut, që sot u ngjit në maja botërore! Bravo shqipe.”
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, publikoi në rrjete sociale momentin kur Marku shpallet fitues./Anabelmagazine