“Këtu jetoi Dolly Pentreath, një nga folëset e fundit të gjuhës korneze që sikurse dhe gjuha e saj amtare, vdiq në dhjetor 1777.”
Kështu shkruhet në një pllakë graniti të vendosur mbi një mur të vjetër guri në Mousehole, një fshat peshkimi në jugperëndim të Cornwall-it. Mendohet se një gurë i ngjashëm varri u porosit në vitin 1860 nga nipi i Napoleon Bonapartit, gjuhëtari Princi Louis Lucien Bonapart, për të shënuar varrin e gruas që fliste një gjuhë kelte më të vjetër se anglishtja, por që u zhduk me vdekjen e saj.
Historia, kultura dhe gjuha e Cornwall-it shtrihen deri në fund të epokës së sundimit të Perandorisë Romake në Britani. Mirëpo për një kohë të gjatë deri në shekullin e 20-të, këto çështje mbetën në harresë deri kur një lëvizje shkencore vendosi të ringjallte gjuhën korneze. Që prej asaj, kohe numri i folësve po rritet dhe kjo po e ndihmon rajonin e Cornwall-it të forcojë dhe të reklamojë rrënjët e tij kelte.
Origjina e kësaj gjuhe mendohet se i ka rrënjët në Common Brythonic, një gjuhë kelte e folur nga britanikët vendas që u ndryshua më pas në uellsisht, bretonisht (e folur ende në Brittany, Francë) dhe Cumbric (e folur kryesisht në Anglinë veriore dhe Skocinë jugore deri në shekullin e 12-të).
Jugperëndimi i Britanisë u bë strehë e gjuhës korneze dhe rreth 38.000 njerëz nga një popullsi totale prej rreth 50.000, e flisnin atë në Mesjetës. Megjithatë, numri i folësve ra në mënyrë dramatike kur Tudorët imponuan anglishten në kishat që predikonin në gjuhën korneze. Kjo u shoqërua me rebelime të përgjakshme në vitin 1549, ku si pasojë e një kryengritjeje masive kundër monarkisë angleze mbetën të vdekur me mijëra persona.
Ata që mbijetuan u larguan në zona më të largëta perëndimore, duke trashëguar edhe për pak kohë gjuhën e tyre. Folësja e fundit, Dolly Pentreath, vdiq në vitin 1777 dhe bashkë me të edhe gjuha korneze. Kjo deri kur një studiues i gjuhës korneze i quajtur Henry Jenner botoi një Manual në vitin 1904.
Sot, falë projekteve të shumta, në 50 shkolla fillore zhvillohet mësim për rreth 10.000 nxënës që mësojnë gjuhën e vjetër kelteze. Po ashtu studiues të shumtë kanë kontribuar në pasurimin e një biblioteke që përmban materiale të ndryshme të shkruara në këtë gjuhë, fjalorë anglisht-kornisht, si dhe janë restauruar vepra të shumta letrare, më e famshmja nga këto drama Ordinalia. The Cornish Language Fellowship, një organizatë bamirëse zhvillon herë pas herë një aktivitet të quajtur “Fundjava e gjuhës kornike”, ku përgjatë tri ditëve mblidhen gati të gjithë folësit e kornishtes.
Në vitin 2010, UNESCO e riklasifikoi kornishten nga “e zhdukur” në “shumë të rrezikuar”. Sipas Zyrës së Gjuhës Korneze, një organizatë e qeverisjes vendore që synon të rrisë përdorimin e saj si gjuhë e komunitetit, rreth 400 folës janë në një nivel të avancuar dhe 2000 janë komunikues të mirë, ndërsa mijëra të tjerë kanë njohuri bazike të gjuhës, por kërkesat janë gjithnjë e në rritje. Dashamirës dhe njohës të kornishtes po përpiqen ta ringjallin atë në të gjitha format, duke publikuar filma, këngë, pjesë teatrale dhe libra. Megjithatë, sfidat për ta ruajtur dhe përhapur sërish këtë gjuhë, mbeten të mëdha.
/a2cnn/