Forcimi i lekut ndaj euros, sa u ul realisht borxhi publik në Shqipëri

Rreth 8.8 miliardë lekë, ose përkthyer në 88 milionë euro, janë kursyer nga Qeveria shqiptare në shlyerjen e borxhit publik.

Kjo është përllogaritja që ka bërë Ministria e Financave, pas ndryshimeve të fundit të bëra në buxhetin e shtetit, përmes një akti normativ.

Nëse flitet me terma konkretë, në shpenzimet e parashikuara për interesat e borxhit gjatë vitit 2024, vlerësohet që të ketë një kursim në vlerën e 2 miliardë lekëve në interesa të jashtme, kryesisht të lidhura me rënien e euros karshi lekut dhe kushtet më të favorshme të këmbimit për monedhën vendase.

Zëri i ripagesave të borxhit të jashtëm ndërkaq, rishikohet me një ulje prej 6.8 miliardë lekësh, sërish si rezultat i kursit të favorshëm të këmbimit valutor.

Mirëpo, sërish, edhe pse me kaq favorizim në kursin e këmbimin dhe me një kursim real në vlerën e pagesës së borxhit, deficiti buxhetor ka mbetur po në nivelin e 57.2 miliardë lekëve.

Brenda masës së deficitit ka ristrukturime. Financimi nëpërmjet kredive të huaja, në formën e mbështetjeve buxhetore, rritet me rreth 3.2 miliardë lekë, duke reflektuar disbursimin e pritshëm të paradhënies së mbështetjes së Bashkimit Evropian, që do të akordojë për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të planit të ri ekonomik.

Edhe vitin e shkuar, më shumë se gjysma e uljes së borxhit publik erdhi si rezultat i forcimit të lekut në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë, ishte ajo e cila vlerësoi se raporti i borxhit publik bruto ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ra në 59.2% në fund të vitit 2023, duke qenë rreth 5.3 pikë përqindje më i ulët se niveli i vlerësuar në fund të vitit 2022.

Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se gjysma e kësaj rënieje, ose 2.7 pikë përqindje, i atribuohet efektit të mbiçmimit të lekut kundrejt euros.

Nga fillimi i vitit deri në shtator euro ka pësuar një rënie të vazhdueshme ndaj lekut me 3.3 lekë, duke u këmbyer në vlerën e 99.7 lekëve kryesisht në ditët e fundit, nga 103.2 që ishte në fillim të janarit. /Albanianpost.com

Read Previous

Ekzekutohet shqiptari në Spanjë

Read Next

Një person gjendet i vdekur në vendin e punës në Gjakovë