Është përmbyllur sot në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj “Gara e ushtarit më të mirë 2025” ku u shpallën rezultatet e garës që u realizua nga data 21-25.04.2025, me pjesëmarrjen e 44 konkurrenteve, 23 nga ta ishin pjesëmarrës ndërkombëtarë ndërsa 21 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kështu bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Sipas tij, ekipet e vlerësimit të garuesve, pas përfundimit të të gjitha diciplinave, shpallën edhe fituesit e kësaj gare ndërkombëtare.
“Vendi i parë për garuesit nga FSK i takoi OR2 Endrit Shatrolli nga Regjimenti i parë i Këmbësorisë ( R1K) dhe njëherit u shpall “Ushtari më i mirë 2025” nga FSK-ja, i dyti u radhit OR2 Arbnor Istrefi ( R3K), dhe vendi i tretë i takoi OR3 Aurent Hodaj nga (R2K)”, ka thënë ai.
Tutje Maqedonci tha se në radhët e ndërkombëtareve vendin e parë e fitoi E4 Jan Vajncer nga Republika e Kroacisë, i cili njëherë u shpall “Ushtari më i mirë ndërkombëtar 2025”, i përcjellë nga Ushtar Hil Mala nga Republika e Shqipërisë, përderisa vendi i tretë i takoi SSG Lucas Peterson nga Garda Kombëtare Ajovas së ShBA.
“Në garën ‘Ushtari më i mirë 2025’ morën pjesë garues nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i zi. Pjesëmarrësit garuan në disiplinat: testi fizik, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi. Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere dhe të rajonit tash e sa vite ka krijuar urat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me FSK-në, në misione dhe qëllime të përbashkëta, gara, ushtrime, trajnime misione paqësore, që tregon qartë shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere, që FSK e ka krijuar me punë, disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm”, tha ndër të tjera Maqedonci. /Telegrafi/