Kryeministri britanik, Keir Starmer dënoi të hënën “gënjeshtrat dhe dezinformatat” që ai tha se po minojnë demokracinë në Mbretërinë e Bashkuar, në përgjigje të një breshëri sulmesh ndaj qeverisë së tij nga miliarderi amerikan, Elon Musk.
Pronari i Teslas ka shfaqur një interes intensiv për politikën britanike që kur Partia Laburiste e qendrës së majtë u zgjodh në korrik, raporton AP.
Musku ka përdorur rrjetin e tij social, X, për të bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe për të kërkuar burgosjen e Starmerit.
Të hënën ai ka postuar një sondazh në internet për 210 milionë ndjekësit e tij me propozimin: “Amerika duhet të çlirojë popullin e Britanisë nga qeveria e tij tiranike”.
I pyetur për komentet e Muskut, Starmer kritikoi “ata që po përhapin gënjeshtra dhe dezinformata sa më shumë që të jetë e mundur”, veçanërisht politikanët konservatorë të opozitës në Britani, të cilët i kanë bërë jehonë disa prej pretendimeve të Muskut.
Musku shpesh poston në X në lidhje me Mbretërinë e Bashkuar.
Kohët e fundit Musku është fokusuar në abuzimin seksual të fëmijëve, veçanërisht një seri rastesh që tronditën qytetet e Anglisë veriore, në të cilat grupe burrash, kryesisht me prejardhje pakistaneze, u gjykuan me akuza për abuzim me dhjetëra vajza.
Musku gjithashtu ka akuzuar Starmerin për dështimin për të sjellë autorët para drejtësisë kur ai ishte drejtor i prokurorisë publike të Anglisë, midis viteve 2008 dhe 2013.
Duke iu përgjigjur pyetjeve pas një fjalimi të hënën, Starmer mbrojti punën e tij si kryeprokuror, duke thënë se ai kishte rihapur çështjet e mbyllura dhe “ndryshoi të gjithë qasjen e prokurorisë” ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve. /Koha.net/