Gjergj Dedaj, ish-kryetar i Partisë Liberale të Kosovës është kontaktuar nga Gjykata Speciale.
Siç bën të ditur Dedaj, qëllimi i kësaj thirrje ishte të njoftohej me caktimin e prokurorit të rastit, pa specifikuar për cilin rast bëhet fjalë.
Dedaj nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij “Facebook” ka treguar edhe se çka u pyet nga Specialja, me ç’rast thekson se ai ka treguar për shqetësimin për moszbardhjen e krimit serbë mbi dhjetëra anëtarë të familjes së tij deh moszbardhjes së masakrës së Mejës në Gjakovë.
Postimi i plotë i Dedaj:
U kontaktova nga Gjykata Speciale !
Ditën e premte, të datës 22 janar 2021, në orët e vona, përmes telefonit, jam kontaktuar nga prokurori i Gjyjatës Speciale, në Hagë!
Qëllimi i kësaj thirrje, sipas tyre ishte të me njoftojnë me caktimin e prokurorit të rastit, siç më njoftuan, pa më specifikuar se për çfarë rasti bëhet fjalë!
Veç tjerash, prokurori më pyeti se a kam ndonjë kërcënim apo ndonjë shqetësim!
I thashë s’kam patur dhe nuk kam asnjë kërcenim nga askush, e për sa i përket shqetësimeve, ia përmenda shqetësimet e mia me rastin e infektimit tim dhe të gjithë anëtarëve të familjes sime me virusin COVID-19, gjatë muajit te kaluar.
Njëkohësisht i vura në dijeni se shqetësim i yni më i madh, tash e 22 vite, është edhe mos zbardhja e krimit serb mbi dhjetëra anëtarë të familjes sime, si dhe mos zbardhja e masakrës së Mejës së Gjakovës, ku forcat serbe me 27 prill 1999, vranë mizorisht mbi 380 civil shqiptar të pafajshëm, ndonëse askush nuk është arrestuar nga serbët, për këtë masakër kundër njerëzimit!
Njoftoj opinionin se jam i gatshëm, përkundër dëshirës sime, në çdo çast t’i përgjigjem ftesave të Gjykatës Speciale, për të dëshmuar luftën epike të drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së, për vetmbrojtje, liri, drejtësi, barazi dhe pavarësi, duke kerkuar me çdo kusht, çmim e sakrificë, drejtësi dhe dënim, për përgjegjësit e 400 masakrave makabre serbe në Kosovë, të 20.000 dhunimeve dhe afër 15.000 vrasjeve civile, ndaj popullatës kosovare, gjatë viteve 1998/1999, në Kosovë!
Mbase këto krime dhe ky gjenocid serb, në Kosovë, do duhej të kishte trajtim dhe përgjigje nga Drejtësia Ndërkombëtare!/KosovaPress.