Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu pritet ta marrë sot, në qytetin Postdam të Gjermanisë, çmimin për media të njohur si “M100 Media Award”.
Kjo mirënjohje asaj i dorëzohet nga ish-ministri gjerman i mbrojtjes gjatë kohës së luftës së Kosovës, Rudolf Scharping, i cili është paraparë të mbajë një fjalim për të, paraprakisht. Edhe presidentja Osmani pritet të ketë një adresim, me këtë rast.
“M100 Media Award” i është ndarë presidentes Osmani nga bordi këshilldhënës i “M100 Sanssouci Colloquium”, një konferencë kjo ndërkombëtare e gazetarëve që mbahet përvitshëm në Postdam të Gjermanisë, nga viti 2005. Anëtar i Bordit është edhe Wolfgang Ischinger, ish emisar i BE-së për Kosovën në bisedimet post Ahtisaari mes Kosovës e Serbisë.
E njëjta mirënjohje i jepet edhe kryetarit polak, Donald Tusk, mirëpo, ky për dallim nga presidentja, nuk pritet të jetë i pranishëm fizikisht në Postdam. Çmimin, por edhe fjalimin për të e mban ish presidenti gjerman, Joackim Gauck.
“Të dy, Vjosa Osmani Sadriu dhe Donald Tusk i kanë vënë parimet e të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike në krye të aksioneve të tyre…”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e ndarejs së cmimeve për dy presidentët.
Kjo mirënjohje më parë i është ndarë edhe Bernard Kouchnerit, ish ministrit francez të shëndetësisë dhe ish-shefit të UNMIK-ut në Kosovë në vitet 1999-2000. Po ashtu, “M100 Media Award” i është dhënë edhe revistës franceze “Charlie Hebdo”, popullit të Ukrainës, Lëvizjes Iraniane për Liri, Jetë dhe Gra sikur edhe ish liderit opozitar rus, Alexei Navalni.
Tradita e këtij organizimi është që në çdo vit të ketë nga një fjalim politik. Sivjet ka qenë në plan që këtë ta bëjë kryeministri gjerman, Olaf Scholz, por i cili e ka anluar pjesëmarrjen për shkak të angazhimeve.
Tema e konferencës së sivjeme është “Demokracia nën sulm – fushatat e dezinformimit, AI dhe roli i medies në super vitin zgjedhor 2024”. /Klankosova.tv/