Gjithçka që dihet deri më tani për kryeshefin e KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi

Kryeshefi i “KRU Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar ditën e sotme në Gjakovë.

Policia e Kosovës në mëngjesin e sotëm nisi aksionin për bastisjen e zyrave të Kompanisë Rajonale të Ujësjellsit “Gjakova”.

Bastisja është kryer në orët e hershme të mëngjesit të sotshëm.

Kjo bastisje vjen pasi KALLXO.com, më 09.03.2025, ka publikuar disa audio-incizime në të cilat dëgjohet kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.

Në ndërkohë pas hulumtimit të publikuar në emisionin Kallxo Përnime, Prokuroria Speciale kishte njoftuar zyrtarisht se kanë nisur hetimet për rastin në fjalë.

Incizimet që janë publikuar në emisionin Kallxo Përnime dëshmojnë se kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi e ka pranuar para stafit të tij se i ka dhënë instruksione shoferit të tij, Valon Gunga për të dalë dhe për të gjetur Kompani që servisojnë makina.

Ai dëgjohet po ashtu duke thënë se ka shkuar te dy Kompani për t’u kërkuar atyre që të ofrojnë vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e Kontratës, ndërsa punët do t’i kryente dikush tjetër.

Gjithashtu, Krasniqi dëgjohet duke thënë para stafit të tij se “Unë do të zgjedh Kompaninë” – në lidhje me tenderin për servisimin e veturave të Kompanisë.

Ndërkaq pak minuta më vonë Njësia Speciale ka kryer bastisje në shtëpinë e Krasniqit.

Një ditë më parë u raportua se ndaj Krasniqit është ngritur edhe kallëzim penal  për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes.

Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi,  në gusht të vitit të kaluar ishte arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Ai ishte kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi rezultoi se kërkohej ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj. Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”.

Read Previous

Arrestohet kryeshefi i KRU ‘Gjakova’, Hasan Krasniqi

Read Next

Cili është lloji i makaronave më i konsumuar në botë?