Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po vazhdojnë hetime dhe veprime operacionale komplekse kundër rasteve të trafikimit nga ShBA, të Cannabisit me përqindje të lartë THC, me qëllim shitjen në Tiranë.
Në njoftim thuhet se në 24 orë janë goditur dy 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Degën Qendra Tranzite të Postës Shqiptare, zhvilluan së fundi operacionin “Dërgesa 1”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi R. H., 32 vjeç, duke marrë në një degë postare në Elbasan, 2 pako me rreth 4 kg Cannabis, me përqindje të lartë THC.
“Në operacionin ‘Dërgesa 2’, gjatë të cilit u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. I., 21 vjeç, pasi dyshohet se do të merrte në një degë postare në Vorë, një pako me rreth 3.7 kg Cannabis, me përqindje të lartë THC”, thuhet në raport.
Në total, ka shkuar në 5 numri i rasteve të trafikimit të Cannabisit, nga ShBA, të goditura gjatë kësaj jave, nga Policia e Tiranës.
Në total u sekuestruan rreth 10 kg Cannabis me përqindje të lartë THC dhe u identifikuan 8 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftim.
Policia thekson se po punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që kanë porositur lëndën narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/