Një grabitje me armë ka ndodhur mëngjesin e të premtes në një institucion mikrofinanciar, në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, e cila theksoi se është vjedhur një shumë e parave.
“Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se një personi i maskuar nën kërcënim të armës ka grabitur një shumë të parave”, tha ajo.
Ahmeti njoftoi se Policia ka iniciuar një hetim lidhur me këtë rast dhe është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Edhe më 27 mars të këtij viti rreth 30 mijë euro dyshohet se ishin grabitur në një këmbimore në Komunën e Ferizajt. /Albanianpost.com