Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë, duke vënë theksin te sakrifica e dëshmorëve dhe kontributi i ish-luftëtarëve.
Gjatë homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Gucati tha se kjo ditë e shenjtë i dedikohet në radhë të parë familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili lexoi deklaratën për shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
“Unë këtë ditë, 17 shkurtin, ua uroj së pari familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe zotit Thaçi, i cili e shpalli këtë ditë dhe sot mungon. Nuk mund ta ndjejmë plotësisht këtë festë, kur e dimë që burra të mëdhenj janë ende në burg. Pa ata, jemi të cunguar”, u shpreh Gucati.
Ai gjithashtu sqaroi se Organizata e Veteranëve të Luftës nuk e ka bojkotuar festën e Pavarësisë, por këshillin organizativ të saj.
“Ne kemi luftuar për këtë ditë dhe nuk është e vërtetë që e kemi bojkotuar festën”, përfundoi ai.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur atë. /Albanianpost.com