Hamasi tha se ishte gati për një marrëveshje për lirimin e të gjithë pengjeve që ende mbahen në Gaza dhe për një armëpushim pesë-vjeçar me Izraelin , ushtria e të cilit goditi sërish enklavën palestineze, duke vrarë të paktën 35 njerëz.
Një delegacion i Hamasit është në Kajro në një përpjekje për të gjetur, së bashku me ndërmjetësit, një rrugëdalje nga lufta që shpërtheu nga sulmi komando i organizatës islamike palestineze kundër Izraelit më 7 tetor 2023. Hamasi “është gati për një shkëmbim të burgosurish (të pengjeve izraelitë me të burgosur palestinezë) në një operacion të vetëm dhe për një armëpushim pesë-vjeçar”, tha një zyrtar i Hamasit për AFP në kushte anonimiteti.
Lëvizja kishte refuzuar më 17 prill një propozim izraelit që kryesisht parashikonte një armëpushim 45-ditor në këmbim të kthimit të dhjetë pengjeve të mbajtur gjallë që nga 7 tetori 2023.
Hamasi po kërkon një marrëveshje që do të përfshinte një ndërprerje të armiqësive, një tërheqje të plotë të trupave izraelite, shkëmbimin e të burgosurve izraelitë, një pengje izraelite për palestinezët. 2.4 milionë banorë po përballen, sipas OKB-së, me urinë dhe mungesa të rënda shëndetësore.
Izraeli, nga ana e tij, po kërkon kthimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e Hamasit, të cilin është zotuar ta eliminojë. Mahmoud Mardawi, një zyrtar i Hamasit, përsëriti sot se ai dëshiron një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” që do të përfshijë “garanci ndërkombëtare”. Izraeli “mund të rifillojë luftën pas një marrëveshjeje të pjesshme, por nuk mund ta bëjë këtë pas një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të shoqëruar me garanci ndërkombëtare”, tha ai në një deklaratë. “Ne kërkojmë që këto garanci të përfshihen në çdo marrëveshje.
Sipas Shërbimit të Mbrojtjes Civile Palestineze, të paktën 35 persona u vranë mëngjesin e sotëm në Rripin e Gazës, ku Izraeli rifilloi ofensivën ushtarake më 18 mars, pas një armëpushimi dy mujor, duke thënë se dëshiron të detyrojë Hamasin të lirojë pengjet.Dhjetë persona u vranë në bombardimin e një shtëpie në qytetin e Gazës (veri), i cili la shumë njerëz të tjerë nën rrënoja, tha për AFP zyrtari i Mbrojtjes Civile Mohammed al-Mughair.
Pamjet e transmetuara nga Agjencia France-Presse nga vendi i ngjarjes tregojnë palestinezët duke prerë, nën dritën e fenerëve, strukturën metalike të ndërtesës dhe duke nxjerrë të paktën një trup nga rrënojat.
Një vajzë e vogël, me një fashë në kokë, qëndron aty, dukshëm e tronditur. “Të gjithë flinin me fëmijët e tyre dhe, pa asnjë paralajmërim, pamë shtëpinë të shembej mbi ne”, tha anëtarja e familjes Umm Walid al-Hur.
Ushtria izraelite nuk bëri komente, por tha se kishte goditur rreth “1,800 objektiva terroriste” dhe kishte vrarë “qindra terroristë” që nga 18 marsi./Albanianpost.com