Hamasi liron tre izraelitë – pengjeve u dorëzojnë certifikata dhe dhurata

Anëtarët e Hamasit, si pjesë e marrëveshjes me Izraelin, organizuan lirimin e tre pengjeve izraelite nga Gaza.

Siç ishte paralajmëruar më herët, Hamasi filloi lirimin e pengjeve në orën 08:30, dhe në listë u përfshinë Ofer Calderon (54), Keith Siegel (65) dhe Yarden Bibas (35). Ashtu si në rastet e mëparshme, Hamasi organizoi lirimin e tyre përmes transmetimit televiziv në Khan Younis, ku pengjet dolën në një skenë të improvizuar për të përshëndetur palestinezët e mbledhur.

Pengjet, ndër të tjera, u fotografuan përpara një posteri të liderit të vrarë të Hamasit, Mohamed Deif, ndërsa organizata u dhuroi atyre certifikata dhe dhurata – një praktikë e ndjekur që nga fillimi i marrëveshjes me Izraelin për lirimin e pengjeve.

Pas “ceremonisë”, u pasua nënshkrimi i dokumenteve për lirimin e pengjeve midis Hamasit dhe Kryqit të Kuq, pas së cilës ata iu dorëzuan kësaj organizate.

Menjëherë më pas, ushtria izraelite (IDF) reagoi, duke deklaruar se do të merrte shumë shpejt në dorëzim pengjet.

“Sipas informacioneve të përcjella nga Kryqi i Kuq, dy pengje tashmë janë transferuar dhe janë në rrugë për tek forcat e IDF-it në Gaza”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe, Hamasi dhe Izraeli kanë arritur një marrëveshje armëpushimi dhe lirimit të të burgosurve. /Telegrafi/

Read Previous

Sa e njeh Kosovën, Peter Sorensen që sot fillon detyrën si emisar i dialogut?

Read Next

Al-Nassr ka bërë ‘çmendurinë’ me pagën që do t’i ofrojë sulmuesit Jhon Duran