Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani duke folur në takimin e 17-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, në Bruksel vlerësoi rolin që ky parlament i ka dhënë vendit tonë në procesin e integrimit në BE.
“Incidenti që ndodhi në Kosovë përbën një rrezik për rajonin tonë, prandaj është e rëndësishme që të mbajmë në qendër të vëmendjes integrimin në BE, si faktor kontribuues në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe e vetmja përgjigje në rajonin tonë ndaj ndërhyrjeve të palëve të treta keqdashëse është angazhimi i fuqizimi ynë te shteti ligjor, siguria etj”.
Ai theksoi se agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar vëmendjen e BE, duke rritur vëmendjen në rajonin tonë dhe fokusin te zgjerimi.
Hasani ravijëzoi se “Shqipëria nuk po qëndron duarkryq”.
“Ne e kemi fokusin te agjenda e integrimit në BE, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike dhe shoqërore nga goditja e trefishtë nga tërmeti i 2019, pandemia dhe agresioni rus. Ka vijuar reforma në drejtësi me rezultate të përgjithshme të mira, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka vijuar të ecë. SPAK ka vijuar punën duke çuar disa vendime të formës së prerë për disa zyrtarë të lartë”.
Ndër të tjera, kryediplomati tha se “Shqipëria ka vijuar bashkëpunim me Europol dhe Eurojust”.
“Gjithashtu Shqipëria ka vazhduar bashkëpunimin me vendet fqinje: Kosovën, Malin e Zi dhe RMV-në për të vijuar harmonizimin në politikën e jashtme të BE-së”. /Albanianpost.com